Aktuale

Kundërshtohet sabotimi i Listës Serbe

Kundërshtohet sabotimi i Listës Serbe
14 nëntor 2017 • 08 : 08 Foto: Laura Hasani
Doruntina Thaçi

Deklarata e deputetit Igor Simiq se Lista Serbe do të jetë pjesë e ekipit të Beogradit në dialogun që do të vazhdojë në Bruksel është përcjellë me reagime të ashpra nga ligjvënësit kosovarë, si dhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend, shkruan sot, gazeta Zeri.

Sipas këtyre të fundit, një deklaratë e tillë e një deputeti të Kuvendit të Republikës së Kosovës është në kundërshtim të thellë me parimet e rregullimit shtetëror të vendit.

“Serbët janë të përfshirë në procesin e dialogut. Janë të përfshirë si pjesë e ekipit bisedues të Beogradit dhe kjo nuk paraqet asgjë të re. Ne kemi marrë pjesë në disa mbledhje, kur janë sjellë zgjidhje të caktuara për fusha të ndryshme.

Kështu që serbët po marrin pjesë në atë dialog dhe për këtë nuk ka kurrfarë dileme”, ka deklaruar ditë më parë për REL-in Simiq.

Ndërkaq Arbër Vllahiu, nga Zyra e kryeministrit Haradinaj, ka thënë për “Zërin” se serbët e Kosovës të përfaqësuar në institucionet e vendit mund t’i ushtrojnë përgjegjësitë dhe të drejtat pa u penguar, duke mos komentuar kështu deklaratën e Simiqit. “Serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë në Republikën e Kosovës dhe të përfaqësuar në institucionet e vendit, ku të papenguar mund t’i ushtrojnë përgjegjësitë dhe të drejtat”.

Sipas tij, faza e re e dialogut duhet të përmbyllet me normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe me njohjen e ndërsjellët. “Dialogu me Serbinë është vlerësuar i nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, por ai duhet të riformatohet, të ristrukturohet dhe të afatizohet. Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen në plotësi dhe dialogu duhet të çojë drejt një rezultati konkret, që është mbyllja zyrtarisht e konfliktit dhe njohja e ndërsjellë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, thotë se përfaqësimi i interesave të Beogradit nga Lista Serbe nuk përbën më lajm, por shqetësuese është toleranca që institucionet e vendit tonë. “Tashmë nuk është ndonjë lajm i ri se Lista Serbe përfaqëson dhe mbron interesin e Beogradit në Kosovë. Këtë e thonë dhe e bëjnë në baza ditore si në Kuvend, ashtu edhe në Qeveri. Problemi qëndron te toleranca që institucionet tona kanë për këtë formacion politikë dhe mënyra si e trajtojnë atë”, ka thënë Pantina. 

Ajo e konsideron të papranueshme pjesëmarrjen e deputetëve serbë të Kosovës në ekipin e Beogradit gjatë dialogut Kosovë - Serbi. Sipas saj, çështjet që prekin pakicat në vend qoftë edhe serbët duhet të bisedohen me përfaqësuesit e tyre legjitimë dhe jo me vendet fqinjë.

Edhe Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), konsideron që pjesëmarrja e deputetëve të Listës Serbe në ekipin e Beogradit gjatë dialogut me Serbinë është i papranueshëm. Me pjesëmarrjen e tij në ekipin e Beogradit Krasniqi thotë se Simiq heq dorë nga të gjitha përgjegjësitë e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, pasi ai është betuar të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Ndërsa analisti Haki Abazi thotë se Lista Serbë është produkt i këtij dialogu.“Nuk është aspak befasi. Lista Serbe është produkt i dialogut Prishtinë - Beograd dhe një instrument i qeverisë në Beograd për të kontrolluar procesin e sabotimit të shtetformimit në vend. Lista Serbe gjithashtu në mënyrë efektive po përdor Rezolutën 1244, që po ashtu e ka riaktualizuar vetë dialogun me fusnotën”, ka thënë ai.

 

© zëri.info