Ministria e Infrastrukturës tregon kur do të bëhet me pagesë “Rruga e Kombit”

Aktuale November 13, 2017 - 18:17

Ditë më parë Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim që autostrada që lidhë Kosovën me Shqipërinë, siç njihet ndryshe “Rruga e Kombit” të bëhet me pagesë.Qeveria ka ndarë vetëm 10 milionë euro, nga 40 sa është nevoja për mirëmbajtjen e kësaj autostrada, me qëllim që pjesën tjetër ta sigurojnë nga pagesat e udhëtarëve.

Ndonëse për autostradën e Shqipërisë është marrë vendim për pagesat, për autostradën e Kosovës ende nuk ka ndonjë vendim, edhe pse ka kohë që po diskutohet një gjë e tillë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se edhe autostrada e Kosovës duhet të bëhet me pagesë, në mënyrë që të jenë sa më të mirëmbajtura.“Për të qenë me të mirëmbajtura dhe me funksionale autostradat duhet të mendohet që të bëhet edhe një lloj pagese për to.

Paraprakisht do t’iu bëhet një matje fizibel, nëse do të jetë më frytdhënës koncesionimi i tyre (sipas modelit të partneritetit Publik-Privat) apo mirëmbajtja dhe mbikëqyrja 100 përqind nga shteti”, tha ministri Lekaj.Ministri ka deklaruar se deri në fillim të vitit të ardhshëm nuk do të dihet asgjë në raport me këtë çështje.

Ndërkaq, Lekaj ka thënë se kujdes të veçantë do i kushtojnë çmimit të atyre pagesave, në mënyrë që t’i përshtatet gjendjes ekonomike të qytetarëve.“Për gjithçka që do të ndërmarrim në raport me këtë proces do të dihet me fillim të vitit të ardhshëm.

Ajo në çka do të kemi kujdes të veçantë do të jetë çmimi i pagesës, i cili nuk duhet të jetë i lartë, por një çmim që i përshtatet gjendjes ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve të vendit tone”, përfundoi Lekaj