Harta e Ushtrisë së Amerikës që shkatërron pretendimet e Haradinajt, Bulliqit, Kurtit për demarkacionin

Aktuale November 13, 2017 - 17:15

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, shumë harta qarkullojnë nëpër tavolinat e komisioneve parlamentare, disa me Çakorr brenda Kosovës e disa pa të, varësisht se a pranojnë ose e refuzojnë marrëveshjen prezantuesit e hartave. Por, harta që përdornin forcat amerikane për ndalimin e serbëve në territorin e Kosovës në vitin 1999 , e vizatuar qartë, nuk përfshin Çakorrin, e as Kullën e Zhlebit në të.

Komisioni për rishikimin e kufirit me Malin e Zi, i kryesuar nga ish-deputeti Shpejtim Bulliqi, sot, i thirrur nga komisioni paralmentar për Integrime Evropiane, ka deklaruar se Kosova ka humbur tokë nga marrëveshja me Malin e Zi.

Ata në komision shkuan me harta, të cilat nuk po ua mbushnin syrin deputetëve, anëtarë të komisionit parlamentar. Megjithatë Bulliqi me ekip thirreshin në këto harta, duke i quajtur si zyrtare.

Përveç hartave, Bulliqi përmendi edhe elemente të tjera, që siç thotë ai kishin funksionuar në Kullë, pra në pjesën territoriale tanimë i kontestuar, deri në vitin 2009. Gjithmonë sipas Bulliqit dhe të gjeturave të tij, Kulla vetëm pas vitin 2009 kontrollohet nga autoritetet malaziase.

Por, ndryshe nga hartat e komisionit për rishikim të kufirit perëndimor, tregon një hartë Pentagonit, e përdorur nga forcat amerikane në vitin 1999, të cilën e ka siguruar Gazeta Express.

Në këtë hartë, ku i ndalohej hyrja forcave serbe, Kulla e Zhlebit dhe Çakorri shihen të jenë pjesë territoriale e Malit të Zi.

Zhlebi dhe Çakorri në hartën e forcave amerikane nuk hynin si pjesë që amerikanët kishin direktiva ta mbronin nga Ushtria Jugosllave, sepse përbënin territor jashtë Kosovës.

Ajo përngjan me hartën që para dy vjetëve kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, atëherë pjesë e opozitës, ia kishte përplasur Murat Mehës, e sot Bulliqi, i quajti ‘të vizatuara dhe të përcaktuara nga Mali i Zi’.

Marrëveshja e Demarkacionit është përkrahur fuqishëm nga SHBA. Zyrtarë të lartë të shtetit amerikan kanë kërkuar nga Kosova që sa më shpejtë ta ratifikojnë marrëveshjen në Kuvend, duke kritikuar kontestimin e marrëveshjes së demarkacionit që po i bëhet tash e dy vjet.