“Serbia e humbi Kosovën 18 vite më parë”

Aktuale November 12, 2017 - 19:45

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq, gjatë vizitës së tij të fundit në Mitrovicë  ka deklaruar se Serbia do të luftojë, në mënyrë që të mos e humbasë territorin e Kosovës.

Por, analistët kosovar e shohin këtë vetëm si deklaratë për të përforcuar pozicionin e saj diplomatik dhe politik.

Profesori i Sociologjisë, Fadil Maloku, ka thënë se kjo është vetëm një bllof i radhës nga ana e Serbisë, jo për të dëshmuar gatishmërinë luftarake, por për ta përforcuar veten.

Maloku ka cekur tri pika, të cilat e kanë quar Serbinë në këtë pikë.

“a)Për ta përforcuar pozicionin e saj politik dhe diplomatik, (karshi presionit të Brukselit dhe Washingtonit), për ta; b) Për ta fut në agjendë protokolare idenë e ndarjes së veriut me mjete paqësore, dhe për ta; c) Për ta ritestuar hegjemoninë ruse, që tashmë është në ekspanzion e sipër edhe në nivel kontinental e global. Mjerisht, nga Qeveria Kosovare nuk po shoh ndonjë fokusim të theksuar, dhe koncentrim të duhur rreth kësaj problematike. Ajo, duket që akoma gjendet në "atmosferën" e  vetëkënaqësisë, dhe përshtypjes së trashëguar që nga paslufta, se për këto tema "madhore" duhet të priten instruksione, rekomandime, e këshillime nga partnerët tanë strategjikë (eufemizëm për Washingtonin)”, tha Maloku.

Ai ka theksuar se nga Qeveria e Kosovës, akoma nuk është parë, as ndonjë platformë apo kornizë bazë se si t'i qaset kësaj çështjeje, me interes shtetëror dhe kombëtar.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka thënë për Indeksonline se deklarata e Gjuriqit ka për qëllim provokimin e Kosovës dhe se Serbia nuk mund të fitojë territor në raport me Kosovën.

“Së pari, besoj se kjo deklaratë e Gjuriqit ka për qëllim provokimin dhe ngritjen e mëtutjeshme të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. Si e tillë, është deklaratë plotësisht e bazuar në logjikat e vjetra të shekullit të kaluar. Së dyti, Serbia as nuk mund të luftojë dhe as nuk mund të fitojë territor apo çka do tjetër në raport me Kosovën. Serbia e ka humbur luftën para 18 vjetësh dhe për këtë duhet të vetëdijesohet elita politike e atjshme. Së treti, Serbia nuk po i ndihmon serbët kosovarë me kësolloj deklaratash dhe po e pengon integrimin e plotë në jetën publike në Kosovë. Serbët kosovarë duhet të kuptojnë se këto deklarata janë për interesa të politikanëve në Serbi dhe asgjë nuk i favorizon përmirësimin e jetës së serbëve kosovarë. Së fundmi, askush në Kosovë nuk duhet të ndihet i kërcënuar nga deklarata e Gjuriqit, përpos vet elitës politike në Serbi”, tha Ramadani.