Familja Halili, ajo e 'rastit të trenerkave' sërish problem me pasaportën zvicerane

Aktuale November 11, 2017 - 20:34

Ju kujtohet familja Halili? Me emër sigurisht nuk mund ta kujtoni, por, kur të përmenden “trenerkat” dhe refuzimi i dhënies së pasaportës zvicerane, atëherë gjithçka është e qartë. Pra, bëhet fjalë për familjen kosovare Halili nga Kantoni Baselland, të cilës me vite të tëra po u hidhet poshtë kërkesa për natyralizim.

Në rastin që pati bërë bujë para më shumë se një viti, ndër shkaqet e këtij refuzimi qe përmendur veshja “e papërshtatshme” e meshkujve të kësaj familjeje, gjegjësisht fakti se ata ecnin rrugëve të fshatit me rroba sportive (“trenerka” ose “tuta”). Po ashtu atyre u zihej për të madhe se në disa raste te ta ishte ishte ndezuar sirena e autoalarmit dhe kjo kishte shqetësuar banorët e fshatit.

Ndërkohë edhe politikanë të kantonit e kishin problematizuar rastin, duke akuzuar asamblenë se merret me detaje banale për të gjetur pengesa kundër dhënies së pasaportës, familjes Halili, shkruan albinfo.ch.

Tash, rreth 18 muaj më vonë, Halilajt kanë realizuar një fitore të pjesshme. I është njohur nënshtetësia zvicerane djalit të familjes, Meriton Halilit, shkruanbasellandschaftliche Zeitung. Këtë vendim e ka marrë në fund të tetorit Ekzekutivi i Kantonit Baselland. Për nënën e tij, Buqe Halilin, qeveria ka vendosur që edhe njëherë të votojë Asamblea e qytetarëve të Bubendorfit, ndërkohë që për kryefamiljarin, edhe vetë qeveria ka marrë vendim negativ.

Tash, ndërkohë që asamblea në fjalë është shprehur se do të pranojë vendimin e ekzekutivit, është familja ajo që do ta atakojë këtë vendim, duke kundërshtuar përjashtimin e kryefamiljarit nga procedura. Kështu, Halilajt janë ankuar në Gjykatën Kantonale dhe për këtë kanë pajtuar një avokat

Lidhur me votimin e bërë nga asambleja në maj të vitit 2016, gazeta merr vesh se ishte votuar me vota të fshehta për secilin anëtar veç e veç. Me këtë rast, vetëm për njërin djalë, Meritonin, qe votuar pozitivisht. Për Buqe Halilin ndërkaq kishte qenë vetëm një votë më shumë kundër se pro.

Ajo që është po kështu interesante në rrëfimin për këtë familje është se kishin qenë pikërisht banorët e Bubendorfit të cilët në vitin 2005 kishin luftuar për t`i siguruar asaj qëndrimin në Zvicër, pasi që i kishte ardhur një vendim negativ nga Berna, transmeton albinfo.ch. Atëbotë, në mbështetje të familjes ishin vënë shumë banorë të BUbendorfir ndërsa kisha e fshatit ia kishte «ndarë azilin», gjegjësisht i kishte strehuar ata në lokalet e veta. Më në fund, në vitin 2006 autoritetet ishin dorëzuar dhe ia kishin njohur familjes lejen e qëndrimit. Ndërsa kur kishte ardhur puna për të fituar edhe «pasaportën e kuqe», qytetarët sikur ishin zmbrapsur! Nuk arrihet dot shumica e nevojshme për të natyralizuar Halilajt.

Në një numër komunash zvicerane, në zona rurale, për natyralizimin e të huajve dhe për çështje të tjera vendosin qytetarët me votë të drejtpërdrejtë, institucion që ndryshe njihet si “Asambleja e qytetarëve”.