Ymeri: Zgjedhjet parlamentare, vitin tjetër (VIDEO)

Aktuale November 10, 2017 - 07:52

Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” është shprehur i bindur se vitin tjetër do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend. Ai është pyetur për rezultatet e partisë së tij në zgjedhjet lokale për koalicionet e mundshme dhe për “vijat e kuqe” për balotazh, për Demarkacionin me Malin e Zi, Asociacionin dhe për Gjykatën Speciale

Lëvizja “Vetëvendosje” nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka dalë me mbi 70 mijë vota më pak, duke i krahasuar me zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti, por kreu i këtij subjekti politik, Visar Ymeri, insiston se votat i kanë dyfishuar.

E dyfishimi, sipas tij, është nga zgjedhjet lokale të vitit 2013, duke i krahasuar me këto të fundit, përderisa krahasimi i zgjedhjeve parlamentare me ato lokale është sikur t’i krahasosh “dardhat me mollë”.

Megjithatë Ymeri gjatë një interviste për gazetën “Zëri” është shprehur i bindur se më 19 nëntor do t’i fitojnë të gjashtë komunat ku janë në balotazh, por nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë thotë se duhet të analizohen rezultatet dhe të merren përgjegjësitë.

Shefi i partisë më të madhe parlamentare, e cila njëherësh është pjesë e opozitës, ka kritikuar Qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, e cila, siç thotë ai, përpos që është e varur nga Serbia, pa kurrfarë nevoje po rritet vazhdimisht për nga numri i ministrave, zëvendësministrave e këshilltarëve.

Prandaj po shikohen mundësitë e përkrahjes së mocionit të votëbesimit të iniciuar nga LDK-ja, në mënyrë që të rrëzohet kjo Qeveri dhe vitin tjetër të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ai ka folur për shkarkimin e disa bordeve të pavarura nga kryeministri, të cilat, siç thotë ai, po dëshiron t’i zaptojë AAK-ja, për Demarkacionin me Malin e Zi, Asociacionin e Komunave Serbe dhe për Gjykatën Speciale.

Zëri: Ka mbaruar rrethi i parë i zgjedhjeve lokale ndërsa “Vetëvendosja” nuk ka arritur ta fitojë asnjë komunë pa balotazh. Si i komentoni këto rezultate?

Ymeri: Sa u përket zgjedhjeve lokale, lëvizja “Vetëvendosje” sikur në nivelin qendror që e dyfishoi votën e 11 qershorit, po ashtu më shumë e ka dyfishuar në këto zgjedhje. Pra nëse e krahasojmë me vitin 2013 konsideroj që është një rezultat jashtëzakonisht pozitiv, në të cilin LVV-ja jo vetëm që e ka rritur numrin e asamblistëve në secilën komunë, por në anën tjetër i ka edhe gjashtë komuna që është në garë për të fituar në rund të dytë. E ato janë: Prishtina, Prizreni, Gjilani, Kaçaniku, Dardana e Besiana.

Zëri: Nëse krahasohet me zgjedhjet e fundit parlamentare, në shumicën e komunave keni qenë partia e parë e tani nuk keni arritur të futeni as në balotazh

Ymeri: Mendoj që zgjedhjet në nivel qendror dhe në nivel lokal nuk janë të krahasueshme, sepse ka edhe tjetër dinamikë elektorale dhe në anën tjetër ka edhe çështje tjera të cilat diskutohen dhe ngrihen në nivelin qendror karshi atyre në nivelin lokal. Sikur që kishim 100 mijë vota në vitin 2014 e në vitin 2017 i morëm 200 mijë vota, në të njëjtën kohë edhe në nivelin lokal prej 60 mijë votave në vitin 2013 kemi lëvizur në 130 mijë vota.

Zëri: Në zgjedhjet e fundit parlamentare ishit partia e parë e tash dolët partia e tretë, pas LDK-së dhe PDK-së

Ymeri: Prapë po them që nuk krahasohen parlamentaret me lokalet, sepse ka dinamika tjera elektorale.

Zëri: Është një periudhë e shkurtër kohore tremujore...

Ymeri: Janë zgjedhje tjera, pra nuk mund t’i krahasosh zgjedhjet e përgjithshme me zgjedhjet lokale.

Zëri: Para tre muajve ju kishit mbi 200 mijë vota, tash keni në rënë në më pak se 130 mijë vota

Ymeri: Po pra, këtë e them. E them që ka dyfishim edhe më 11 qershor, duke i krahasuar me 2014-ën, edhe më 22 tetor 2017, duke i krahasuar me 2013-ën.

Zëri: Pse po bëni krahasim me vitin 2013 dhe s’po bëni me 2017-shin?

Ymeri: Sepse po i krahasoj zgjedhjet lokale me zgjedhjet lokale dhe nuk i krahasoj “mollët me dardha”. Ti mund të thuash që një mollë është më e ëmbël se dardha, po pra... nuk krahasohen këto të dyja kështu.

Zëri: A mbani përgjegjësi për këtë rezultat zgjedhor dhe a do të mundë të priten dorëheqje nga hierarkia e partisë për shkak të këtij rezultati?

Ymeri: Po, po them që LVV-ja në analizën që ua ka bërë këtyre zgjedhjeve është e kënaqur me rezultatin, sepse kemi shënuar një ngritje të jashtëzakonshme, duke i krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, duke e rritur kështu edhe numrin e asamblistëve në komuna. Konsideroj që kjo është një lëvizje pozitive dhe natyrisht që ato që duhet të analizohen dhe duhet të merren si përgjegjësi do t’i marrim si përgjegjësi, por megjithatë përgjegjësi nuk mund të merret për një rezultat i cili është pozitiv.

Zëri: LVV-ja ka shkuar në balotazh në 6 komuna. Sa mendoni se do t’i fitoni më 19 nëntor?

Ymeri: Gjasat janë që t’i fitojmë të gjashtat. Natyrisht se nuk është realiteti i njëjtë në secilën prej tyre. Nuk dua ta vizatoj këtu një hierarki të komunave se cilat janë më të mëdha dhe cilat më të vogla, por konsideroj që këto komuna e kanë dëshmuar që kanë arritur një masë kritike që qytetarët duan ndryshime.

Zëri: Çka ndodhi me Anamoravën, ku në zgjedhjet e fundit ishit partia e parë dhe shihej si bastion i “Vetëvendosje”. Në Viti kandidati i LDK-së ka fituar pa balotazh e në Gjilan jeni mbrapa kandidatit të kësaj partie?

Ymeri: Dinamikat kryesore në zgjedhjet lokale mendoj janë që njëri prej tyre lidhet drejtpërdrejt me mënyrën sesi kryetarët e komunave e keqpërdorin pozitën për të shpërndarë të mira publike të targetuara në grupe të caktuara për qëllime elektorale, pra që mund ta quash një lloj vote klienteliste.

Zëri: A ka mundësi që s’ia keni qëlluar në disa raste edhe me kandidatin për kryetar?

Ymeri: Kur vjen puna të kandidati, natyrisht që ka kandidatë të cilët pranohen më mirë nga publiku dhe ka kandidatë të cilët e kanë më të vështirë të jenë të pranueshëm nga publiku, por mendoj që kjo është njëra prej analizave që duhet të bëhen edhe me kundërkandidatin. Pra, si lëvizje “Vetëvendosje” në secilin rrafsh dhe në secilën komunë kandidatët tanë kanë qenë superiorë karshi kandidatëve tjerë. Por, kjo është se nuk kanë arritur që këtë superioritet ta bartin te qytetarët qoftë në aspektin moral, qoftë në aspektin profesional e qoftë në aspektin intelektual.

Zëri: Z. Ymeri ky është perceptimi juaj, por kështu nuk menduan votuesit

Ymeri: Në rregull, unë po them ky është perceptimi... që ju e thoni, pranueshmëria elektorale e kandidatit në mënyrën qysh e perceptojnë qytetarët atje. Hajt ta bëjmë një analizë krahas kësaj, pra t’i krahasojmë si individë edhe ju do të vini në përfundime.

Zëri: Po t’i pyesësh krerët e subjekteve tjera edhe ata do t’i favorizojnë kandidatët e tyre, njëjtë siç po bëni edhe ju.

Ymeri: A ka mundësi objektive të bëhet krahasimi i kandidatëve?

Zëri: Vlerësimin më të mirë e bëri votuesi më 22 tetor

Ymeri: Ajo është tjetër gjë. Unë them, a keni ju mundësi objektive për t’i vlerësuar kandidatët, ta bëni një vlerësim të tillë e di që nuk ju lejohet si gazetar, por po ta bëni një vlerësim të tillë do të vini në përfundimin që po vi unë. Kandidatët e “Vetëvendosjes” janë kandidatë më të mirë, mirëpo janë disa të partive tjera që nganjëherë arrijnë që të plasohen më mirë në publik. Në aspektin moral e profesional të angazhimit s’mund të thuash që Lufti Haziri është më i mirë sesa Sami Kurteshi.

“Vija të kuqe”, vetëm me PDK-në

Zëri: Z. Ymeri zyrtarisht morët përkrahjen e AKR-së në Prishtinë, a priten përkrahje të tjera edhe në komuna të tjera, përkatësisht a keni ende “vija të kuqe” me PDK-në?

Ymeri: Me PDK-në e kemi thënë disa herë që në këto kushte në të cilat jemi, pra në kushte të shtetit të kapur, as nuk bashkëpunojmë e as nuk bashkëqeverisim, sepse një bashkëpunim e bashkëqeverisje e tillë do të ishte edhe konfirmim i këtij shteti të kapur, në anën tjetër edhe arsyetim i tij. Në këtë drejtim konsiderojmë që gjëja më e rëndësishme është që institucionet shtetërore të çlirohen nga kapjet partiake dhe klanore. Një çlirim i tillë i institucioneve s’mund të ndodhë duke bashkëpunuar me ata që e kanë dizajnuar dhe e mirëmbajnë një shtet të kapur. Duke e thënë këtë nuk po them që krejt PDK-ja është e tillë. Është kreu i PDK-së, i cili njëkohësisht duke e kapur shtetin e ka kapur edhe partinë dhe në këtë drejtim konsideroj që është e domosdoshme që PDK-ja një herë të shkojë në opozitë që të pastrohet nga një strukturë e udhëheqësi që flirton dhe banon me krimin, të shndërrohet në një parti politike me të cilën pastaj edhe mund të bisedohet dhe mund të bashkëqeveriset.

Zëri: A jeni afër marrëveshjeve të tjera, pos në Prishtinë me AKR-në?

Ymeri: Ne jemi në gjashtë komuna në balotazh. Natyrisht në këto komuna kemi kontaktuar parti të ndryshme, përveç PDK-së.

Zëri: Në Mitrovicë a do ta përkrahni kandidatin e AKR-së, që është z. Agim Bahtiri?

Ymeri: Po, kemi folur me z. Agim Bahtirin dhe besoj se po, do ta përkrahim. Natyrisht jemi në diskutime me të për ta arritur një marrëveshje eventuale të bashkëpunimit dhe të bashkëqeverisjes.

Zëri: Si do të veproni në komunat ku garojnë PDK-ja dhe LDK-ja. Cilin do ta përkrahni, apo do t’ia lini elektoratit tuaj të vendosë?

Ymeri: Ne nuk kemi marrëveshje tjera të koalicionit në asnjërën prej komunave deri më tash dhe në rastet kur nuk ka marrëveshje koalicioni... siç e thashë, PDK-ja nuk vjen në shprehje, në disa raste edhe LDK-ja është e papranueshme për shkak të historikut dhe kandidatit që e kanë dhe në këtë drejtim ne do ta mbajmë një pozicion që mund ta quash qoftë neutral, qoftë abstenues.

“Fotoja në jaht nuk e dëmtoi Shpendin”

Zëri: Pritjet tuaja kanë qenë që Shpendi ta fitojë Prishtinën pa balotazh. Çka ndikoi që nuk fituat në rrethin e parë?

Ymeri: Mendoj që në komunën e Prishtinës është dashur të gjykohet deri diku mënyra sesi është qeverisur. Nisur nga ky gjykim ne kemi menduar që Prishtina do të fitohet pa balotazh. Duke e parë këtë transformim të madh që i ka ndodhur komunës së Prishtinës, atëherë kemi gjykuar që kjo do të prodhohet në një rezultat zgjedhor ku do të qeveriset pa balotazh. Sidoqoftë kjo nuk ka ndodhur, por Prishtina tashmë e ka të sigurt fitoren.

Zëri: Për ta siguruar një fitore të tillë ju është dashur të bëni koalicione parazgjedhore. Një bindje të tillë ju nuk e kishit më herët

Ymeri: Nëse gjykojmë nga secili sondazh që është bërë dhe nga premtimet ose zotimet që i ka dhënë z. Shpend Ahmeti në vitin 2013, janë përmbushur dhe s’mund të thuash që nuk është përmirësuar jeta në Prishtinë. Natyrisht që nuk është bërë ajo Prishtinë që e duam të gjithë, sepse ajo nuk mund të bëhet për katër vjet dhe mendoj që qytetarët s’janë aq naivë sa të presin që për katër vjet të ndryshojë tërësisht komuna e tyre.

Zëri: A kanë ndikuar disa fotografi që janë publikuar: Pamjet e Shpend Ahmetit nga jahti i Blerim Devollit dhe disa të tjera?

Ymeri: Mendoj që jo. Kjo më shumë është bërë një bujë mediatike sesa që u ka penguar a interesuar qytetarëve edhe pse nuk është se kemi bërë ndonjë matje, por është përshtypja ime nga biseda me qytetarët.

Shkarkimi i bordeve për t’i zaptuar AAK-ja

Zëri: Si e vlerësoni punën dymujore të Qeverisë, që udhëhiqet nga kryeministri Haradinaj. Çka punoi mirë e çka jo shefi i ri i ekzekutivit?

Ymeri: Pak ka për t’u vlerësuar, sepse ka pak punë. Vlerësimi nuk është gjithë pozitiv. Mendoj që kjo Qeveri e ka nisur mbrapsht. Edhe e ka nisur mbrapsht në kuptimin se si është themeluar, një Qeveri e varur kryekëput nga Lista Serbe.

Për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës kemi Qeveri që varet nga votat e diktuara dhe të kontrolluara nga Beogradi.

Në anën tjetër, është një Qeveri e cila vazhdimisht është në rritje prej zëvendësministrave te këshilltarët. Është numri i ministrive që rritet dhe që do të bëhet një administratë jashtëzakonisht e madhe, e cila do t’i kushtojë Kosovës shumë shtrenjtë dhe e cila do të shkojë në dëm të shërbimeve për qytetarët.

Ne mendojmë që Qeveria duhet të jetë e madhe në kuptimin e shërbimeve që i ofron për qytetarët, por jo e madhe në numrin e njerëzve. Ka pasur edhe disa shkarkime të bordeve në mënyrë jashtëzakonisht arbitrare pa kurrfarë arsyetimi pse ndodhin ato, që nënkupton që ka një rritje të shpejtësisë për ta kapur një pjesë të shtetit tash nga kryeministri Haradinaj, sepse vetëm AAK-ja kishte mbetur jashtë marrjes së aparatit shtetëror. Konsideroj që është bërë një punë që mund të thuhet deri diku pozitive për sa i përket Marrëveshjes për Demarkacionin me shkarkimin e Komisionit. Por, edhe këtu ka një problem jashtëzakonisht të madh, sepse shkarkimi i atij Komisioni që e kishte sjellë dhe përpiluar një marrëveshje të tillë të dëmshme për Kosovën është dashur të nënkuptojë automatikisht edhe mospranim të punës së tyre.

Zëri: Megjithatë një raport të tillë nuk është që do ta pranojë as Mali i Zi, as presidenti Thaçi, por as ish-kryeministri Isa Mustafa?

Ymeri: Raporti i tillë duhet të jetë i pranueshëm së pari për Kuvendin e Kosovës dhe për institucionet e Republikës. Natyrisht që Hashim Thaçi një raport të tillë nuk do ta pranojë sepse aty do të dëshmohet se ai me nënshkrimin që ia ka bërë kësaj marrëveshjeje ka kryer një akt tradhtie, siç është i sanksionuar me Kodin Penal e i cili thotë që nëse nga pozita e zyrtarit fal një pjesë toke të Republikës një shteti tjetër konsiderohet si akt tradhtie. Natyrisht që Thaçi këtu e ka interesin që të ikë nga përgjegjësia penale të cilën e ka karshi kësaj marrëveshjeje, prandaj edhe e sulmon Komisionin. Ndërkohë sa i përket Isa Mustafës, ai ka qenë kryeministër në kohën kur është nënshkruar kjo marrëveshje, e ka mbrojtur këtë marrëveshje pa asnjë arsye dha tash do si çështje inercie ta vazhdojë të njëjtin qëndrim.

Zëri: Mali i Zi nuk pranon të rinegociohet marrëveshja dhe rrjedhimisht ka mundësi të mos shkojë në Arbitrazh pa u pajtuar të dyja palët. Në anën tjetër, s’ka liberalizim pa Marrëveshjen për Demarkacion?

Ymeri: Mendoj se në dritën e fakteve të reja që do të prezantohen e që janë pak a shumë fakte më mirë të shtjelluara të atyre që i kemi parë deri më tash të prezantuara nga ekspertë, atëherë Kosova duhet domosdoshmërisht me Malin e Zi ta gjejë një zgjidhje të re sa i përket kësaj vije kufitare. Natyrisht që qëndrimi i deritashëm i Malit të Zi ka qenë që për ta puna është e kryer, por ata duhet ta kuptojnë që puna nuk kryhet pa qenë e kryer edhe për Kosovën.

Të formohet ushtria, të anashkalohet Asociacioni

Zëri: Lista Serbe po kërkon që të formohet sa më parë Asociacioni dhe të anashkalohet ushtria, si do të veprojë koalicioni qeverisës përballë këtij presioni nga Lista Serbe?

Ymeri: Të kundërtën e asaj që po thotë Lista Serbe. Pra që të formohet sa më shpejt ushtria dhe të mos formohet asnjëherë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Duhet ta kuptojmë një gjë që Lista Serbe është subjekt politik, i cili nuk i përfaqëson serbët e Kosovës, por i mbron interesat e Beogradit në Kosovë.

Zëri: Qeveria si duket ka shprehur gatishmërinë që ta formojë Asociacionin në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në qoftë se merret një vendim i tillë me dekret qeveritar si do të veprojë lëvizja “Vetëvendosje”?

Ymeri: Kjo është e panevojshme. Pra, çfarë na duhet një Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe? Për çka? Për kë? Dhe çfarë funksioni do të kryejë?...Nëse një OJQ po u dashka të formohet për t’i bërë bashkë komunat me shumica serbe kjo gjë nuk ka qenë e ndaluar kurrë. Në anën tjetër ne e kemi një Asociacion të Komunave të Republikës së Kosovës. Pse të mos integrohen edhe komunat me shumicë serbe në atë Asociacion?

Zëri: Kur është nënshkruar kjo marrëveshje keni protestuar. Nëse Haradinaj e kalon Asociacionin me dekret qeveritar cili do të jetë veprimi juaj si opozita kryesore në Parlament?

Ymeri: Ne natyrisht që do ta kundërshtojmë. Kundërshtimi ynë do të varet me mënyrën dhe me përmbajtjen e këtij dekreti siç po e quani. Pra një dekret qeverie, nëse duan të vazhdojnë ashtu. Nuk besoj që nuk do të vijë në Kuvend, por do të miratohet direkt nga Qeveria.

Zëri: Si do ta ndalni?

Ymeri: Të shohim kur të vijmë aty. Pakkush ka besuar që në gusht të vitit 2015 se “Zajednica” e nënshkruar po atë muaj do të ndalet dhe ja që u ndal. Pakkush ka besuar që demarkacioni do të ndalet, por ja që u ndal.

Zëri: LDK-ja ka përmendur mocionin për rrëzimin e Qeverisë, a do ta përkrahni këtë iniciativë dhe kur do të duhej të ndodhë kjo?

Ymeri: Ne me LDK-në tash jemi dy grupe parlamentare opozitare, por përmbajtësisht nuk jemi në opozitë. Për sa kohë që LVV-ja konceptualisht në mënyrën sesi e sheh shtetndërtimin, politikëbërjen kemi dallime të mëdha edhe me LDK-në, por këto janë dallime konceptuale dhe politike. Ndërkohë që sa i përket bashkëpunimit për çështje të caktuara ne jemi të hapur dhe këtë do ta diskutojmë çështje pas çështjeje. Mendoj që një mocion i rrëzimit të Qeverisë natyrisht që duhet përkrahur, por ta shohim se në çfarë kohe, në çfarë përmbajtje dhe kur.

Zëri: Kur sipas jush duhet të rrëzohet kjo Qeveri?

Ymeri: Nuk është çështje e diskutimit të afatit kohor. Sa më herët, aq më mirë. Sa më pak që t’i lëmë hapësirë kësaj Qeverie duke e parë dhe duke e gjykuar se çfarë kanë bërë deri më tani, aq më pak do të dëmtohet Kosova.

Zëri: A do ta pritni 100-ditëshin e Qeverisë apo do të veproni edhe më herët?

Ymeri: Sa i përket mocionit për rrëzimin e Qeverisë duhet të sigurohemi që t’i kemi 61 deputetë. Bashkë dy grupet opozitare kanë 59. Edhe herën e kaluar kur është votuar mocioni për rrëzimin e Qeverisë ne vazhdimisht kemi insistuar që përveçse a po kalon mocioni të shikohen edhe arsyetimet për rrëzimin e Qeverisë. Sepse kjo është politika, nuk e rrëzon Qeverinë veç pse je në opozitë, por për shkak se ke pakënaqësi për mënyrën sesi është qeverisur.

Zëri: Cili do të duhej të ishte arsyetimi për rrëzimin e Qeverisë dhe a besoni që vitin tjetër do të ketë sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Ymeri: Mendoj që vitin tjetër jo a do të ketë, por duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sepse prapë po e them se sa më gjatë kjo Qeveri në pushtet, më keq do t’i kemi punët.

Zëri: Shumë shpejt Gjykata Speciale pritet t’i ngrejë aktakuzat e para, a mund të ketë destabilizim në vend dhe si duhet të reagojnë institucionet e sigurisë?

Ymeri: Gjykata Speciale është një padrejtësi jashtëzakonisht e madhe për Republikën e veçanërisht luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga Serbia, do t’ia vendosë një hije të zezë dhe këtë duhet gjithsesi ta sanojmë dhe ta ndalojmë. Mendoj që mënyra sesi është pranuar kjo Gjykatë Speciale dhe vota që është dhënë atëherë në Kuvendin e Republikës, e nxitur nga Hashim Thaçi më së shumti, mendoj që ka qenë e dëmshme për Republikën e Kosovës, sepse në rrafshin demokratik i është cenuar skajshmërisht autonomia e Republikës, por edhe në rrafshin politik e të drejtësisë.

Thaçi për të shpëtuar nga Specialja e dha shtetin

Zëri: Si i komentoni deklaratat e fundit të presidentit Thaçi për Gjykatën Speciale, përplasjen me ndërkombëtarët dhe vizat?

Ymeri: Mendoj që Hashim Thaçi është një njeri i cili është i gatshëm të bëjë çmos vetëm të shpëtojë vetë. Ai edhe i jep shokët, e jep shtetin edhe e përdhos secilin institucion të Republikës vetëm e vetëm që të shpëtojë vetë. Në këtë kuadër ai edhe dashakeqësinë, por edhe naivitetin e vet e shpërfaqi sesi ai ka negociuar për themelimin e Gjykatës Speciale dhe arsyeja që ka pranuar Gjykatën Speciale në atëbotë ishte sepse i është garantuar që ky nuk do të jetë njëri prej të ndjekurve. Ai e shpërfaqi që Kosovës i qenkan premtuar disa zhvillime të tjera nëse themelohet Gjykata Speciale. E nëse vetëm kjo është e vërtetë, pa pasur spekulime nga ana tjetër, mendoj që është një pazar i gabuar sepse nuk bëhet pazar me shtetin.