‘Emërimi i zëvendësministrave, klientelizëm i pastër’

Aktuale November 09, 2017 - 12:50

Ndonëse Qeveria e tanishme ka emëruar 21 ministra gjithsej, numri i përgjithshëm i zëvendësministrave ende nuk dihet saktësisht.

Kjo meqë Qeveria e re po vazhdon dita-ditës të emërojë zëvendësministra të rinj nëpër dikasteret e ndryshme qeveritare.

Madje pozitën e zëvendësministrit tashmë e kanë zënë edhe disa persona të cilët kanë dështuar të zgjidhen kryetarë komunash në zgjedhjet lokale. Fatmir Gashi, Heset Sahiti, Xhavit Zariqi, Besnik Hoti e Faruk Nura janë disa prej kandidatëve të cilët nuk arritën të zgjidhen kryetarë komunash në zgjedhjet e 22 tetorit e që deri më tani janë emëruar në pozitën e zëvendësministrit, shkruan "Zëri".

Partitë opozitare konsiderojnë se emërimi i një numri kaq të madh të zëvendësministrave paraqet një veprim skandaloz.

Kjo pasi, siç thonë ata, një gjë e tillë po bëhet vetëm për t’i sistemuar militantët partiakë dhe për t’i kënaqur apetitet e tyre.

Opozita me këtë rast ka vlerësuar se duhet të miratohet një ligj për Qeverinë, i cili rregullon plotësisht këto çështje.

LEXO EDHE: Humbin në komuna, shpërblehen në Qeveri

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike thonë se Qeveria në procesin e emërimit të zëvendësministrave ka shpërblyer jo vetëm militantët, por edhe ata që humbën në zgjedhje lokale.

Ndërkaq politologu Ramush Tahiri ka konsideruar se emërimi i një numri të madh të zëvendësministrave nëpër dikasteret e ndryshme të Qeverisë ka të bëjë me pazaret politike dhe me interesat partiake.

“Klientelizëm i pastër, edhe partiak, edhe individual. Pazaret politike në rastin e koalicioneve shprehin interesat klanore e grupore të elitave dhe të liderëve të partive e nuk shprehin domosdoshmërisht interesat e elektoratit e të qytetarëve”, është shprehur Tahiri për "Zërin".

Kurse analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se nuk kalon thuajse asnjë ditë që Qeveria e re të mos emërojë një zëvendësministër.

Sipas tij, në pozita të tilla po vihen jo vetëm militantët partiakë, por edhe të atillë që kanë dështuar në zgjedhjet lokale.

“Lajmet më të shpeshta nga Qeveria e Kosovës kanë të bëjnë me emërimin e zëvendësministrave. Nuk kalon thuajse asnjë ditë e dikush të mos rehatohet në një post të tillë. Natyrisht, vend u bëhet zyrtarëve e militantëve partiakë dhe jo rrallë me poste të tilla shpërblehen ata që humbën në zgjedhje lokale, ose që nuk arritën të fitojnë post deputeti në zgjedhjet nacionale”, është shprehur Mushkolaj. 

E kjo, sipas tij, bën që miliona euro të shpenzohen për pagat dhe privilegjet jo vetëm të zëvendësministrave, por edhe të këshilltarëve të tyre. /ZËRI/