Gjuriq: Jemi të gatshëm të luftojmë në Kosovë

Aktuale November 09, 2017 - 08:20

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke marrë pjesë në kremten fetare të Mitrovicës së Veriut, “Mitrovdan”, ka kërcënuar se serbët dhe Serbia do të luftojnë në Kosovë për ta mbrojtur, siç ka thënë ai, “atë që është e jona”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka marrë pjesë në kremten fetare të qytetit të Mitrovicës së Veriut, “Mitrovdan”, të mërkurën dhe me atë rast i ka ftuar serbët e veriut të Mitrovicës, të mbledhur në sheshin “Shumadija”, që të luftojnë bashkë me Serbinë, siç ka thënë ai, “për atë që është e jona”.

Ai ka siguruar se “derisa jemi të gatshëm të luftojmë për atë që është e jona kurrë nuk do të humbim”, shkruan tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Veriu, i privilegjuar

“Nga këtu, nga Mitrovica, dëshiroj të porosis se derisa jemi të gatshëm të luftojmë për atë që është e jona, ajo që është e jona nuk do të humbet kurrë. Dhe derisa jemi të gatshëm të luftojmë nuk do të humbim kurrë. Dëshiroj që nga Mitrovica të dëgjojë e gjithë Serbia se ne jemi të gatshëm të luftojmë, për këtë arsye jemi në tokën tonë. Sikurse gjeneratat para nesh që kanë rezistuar, sikurse gjeneratat para nesh që kanë rezistuar në kohë të errëta me familjet e tyre, duke ruajtur dhe duke mbrojtur njëri-tjetrin, të bashkuar e me dashuri kanë pritur dhe kanë përjetuar ditë më të mira, kështu që edhe populli ynë në Kosovë sot është i bashkuar dhe i vendosur të vazhdojë të ruajë dhe të mbrojë, që të luftojë në mënyrë që të jetë krenar i gjithë kombi”, është shprehur drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke ua uruar serbëve të mbledhur “Mitrovdanin”.

Gjuriq në vijim ka thënë se këtu (në Kosovë) çdo ditë e vitit është ditë lufte për mbrojtjen e interesave të Serbisë në Kosovë, për ruajtjen e identitetit nacional, kulturor e fetar dhe për këtë arsye, siç tha Gjuriq, “Serbia është krenare me Mitrovicën”.

Ndërkaq kryetari i të ashtuquajturit Organ i Përkohshëm, komunë paralele e Serbisë, Aleksandër Spiriq, duke falënderuar Serbinë për ndihmën e vazhdueshme dhe përkrahjen, ka siguruar se qytetarët e Mitrovicës mbetën të vendosur për të qëndruar në hapësirat e Kosovës dhe në Mitrovicë.

“Besoj se do të jemi edhe më të bashkuar, më unikë dhe të fortë dhe vetëm si të tillë mund të rezistojmë dhe të fitojmë, që të përballemi me të gjitha situatat në të ardhmen. Është pozitive vetëm nëse jemi përkrah shtetit tonë (Serbisë), të bashkuar e unikë”, ka thënë Spiriq.

Në këtë kremte kishte ardhur edhe një politikan i lartë i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Arllov, i cili i ka siguruar serbët e veriut se Republika Serbe dhe qytetarët e Serbisë do të jenë përherë përkrah tyre dhe të gatshëm që t’u vijnë në ndihmë sa herë që ata ndodhen në situata të vështira. Në këtë manifestim ka folur edhe peshkopi i Kishës Ortodokse Rashkë – Prizren, Teodosije, i cili ka siguruar serbët se Kisha do t’u ndihmojë të qëndrojnë në vendin e tyre.