Mësimi tërëditor i kushton Kosovës 66 milionë euro

Aktuale November 09, 2017 - 08:01

SBASHK-u ka bërë një parallogaritje ku nëse të gjithë nxënësit e Kosovës do ta preferonin shkuarjen në mësimin tërëditor duhet të angazhohen edhe rreth 12.000 kuadro të reja arsimore, si dhe buxheti shtesë prej rreth 66 milionë eurosh për çdo vit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka hedhur poshtë mundësinë e organizimit të mësimit tërëditor në shkollat e Kosovës.

Kjo sindikatë ka vlerësuar se eksperimentet e vazhdueshme e kanë dëmtuar arsimin në Kosovën e pasluftës. Idenë e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për arsimin tërëditor në Kosovë që të fillojë nga viti i ardhshëm në shkollat ku ka kushte SBASHK-u e konsideron si edhe një eksperiment të ri e të dëmshëm ndaj sistemit arsimor, shkruan tutje "Zëri".

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për gazetën se bazuar në praktikat e vendeve të Evropës nuk janë mësimdhënësit e njëjtë ata që angazhohen gjatë mësimit tërëditor.

LEXO EDHE: Humbin në komuna, shpërblehen në Qeveri

Ai thotë se janë kuadro të tjera arsimore e mbështetëse që angazhohen pasdite me nxënës.

“SBASHK-u ia kujton MASHT-it dhe DKA-ve se me mësimdhënësit që tani janë në sistemin arsimor nuk mund të mendohet aplikimi i mësimit të tillë tërëditor, sepse ata kanë normat e tyre të plota, 20 orë mësimore me nxënës dhe 20 orë të tjera për përgatitje për procesin mësimor dhe për komunikim me nxënës e me prindër dhe prandaj ata nuk mund të obligohen që të punojnë mbi këtë normë të përcaktuar me ligj dhe me kontratë”, ka thënë ai.

SBASHK-u kërkon nga MASHT-i dhe nga ministri Bytyqi që hapat për mësimin tërëditor dhe ideja që me këtë lloj mësimi të fillohet në disa shkolla nga viti i ardhshëm shkollor të analizohet mirë dhe të shihet se një praktikë e tillë në vendet e Evropës nuk është obligative për të gjithë nxënësit.

“Kjo organizohet për t’i angazhuar nxënësit në aktivitete që ata preferojnë, apo për ta bërë më të lehtë socializmin e nxënësve, që janë fëmijë emigrantësh. Po ashtu, sipas praktikave të vendeve të Evropës, nuk janë mësimdhënësit e njëjtë ata që angazhohen gjatë mësimit tërëditor. Janë kuadro të tjera arsimore e mbështetëse që angazhohen pasdite më nxënës”.

Pra, SBASHK-u, sipas Jasharajt, ia kujton MASHT-it dhe DKA-ve se me mësimdhënësit që tani janë në sistemin arsimor nuk mund të mendohet aplikimi i mësimit të tillë tërëditor, sepse ata kanë normat e tyre të plota, 20 orë mësimore me nxënës dhe 20 orë të tjera për përgatitje për procesin mësimor...

“Nëse shkohet në këtë eksperiment të mësimit tërëditor dhe nëse veprohet si në Evropë dhe u mundësohet që vetë nxënësit të deklarohen dhe nëse supozojmë se vetëm gjysma e 369.309 nxënësve, sa janë në Arsimin Parauniversitar, angazhohen në këtë lloj mësimi, atëherë duhet angazhuar edhe rreth 6000 kuadro të reja arsimore dhe duhet siguruar pagat e tyre, për të cilat kërkohen jo më pak se rreth 33 milionë euro në vit. Po nëse të gjithë nxënësit e Kosovës do ta preferonin shkuarjen në mësimin tërëditor, atëherë duhet të angazhohen edhe rreth 12.000 kuadro të reja arsimore dhe buxheti shtesë prej rreth 66 milionë eurosh për çdo vit”, ka thënë Jasharaj në bisedën për “Zërin”.

Ai ka thënë se SBASHK-u e kujton po ashtu ministrin Bytyqi se sot Kosova nuk qëndron keq me numrin e objekteve shkollore dhe shumica e tyre janë ndërtime të reja, po shumicës nga mbi 1114 institucioneve arsimore u mungojnë mjetet bashkëkohore të mësimit dhe pa to, sipas tij, është vështirë që mësimdhënësit t’i arrijnë sukseset që i dëshirojmë të gjithë.

“Pra, për cilësi më të lartë në arsim objektet ekzistuese duhet pajisur me mjete bashkëkohore të punës arsimore. Tek e fundit kujtojmë se një ide për arsim tërëditor kishte ‘lindur’ edhe para dy a tre vjetësh në një komunë të Kosovës, por duke u parë se ishte gabim, në heshtje u shua kjo ide”, ka thënë ai.

Gjatë një konference për medie ditë më parë ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, prezantoi  gjendjen ekzistuese të hapësirave shkollore në tërë vendin, si dhe atyre hapësirave të nevojshme për realizimin e mësimit tërëditor.

Bytyqi ka thënë se brenda një afati të shkurtër kanë arritur ta identifikojnë mungesën e objekteve shkollore në tërë vendin, që është një objektivë mjaft me rendësi të fillohet mësimi tërëditor që të ketë një cilësi më të lartë të arsimit.