Shpenzohen 7.2 milionë euro për vetura luksoze, s'ka buxhet për autoambulanca!

Aktuale November 07, 2017 - 07:53

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë i kanë në dispozicion vetëm 92 autoambulanca, në mungesë të së cilave shpesh rrezikohet edhe jeta e pacientëve, përderisa tashmë është vendosur që të shpenzohen edhe 7.2 milionë euro nga buxheti i shtetit për marrjen e 358 veturave me qira, ndonëse në dispozicion janë mijëra vetura për stafin e nivelit qendror dhe lokal, shkruan sot, gazeta Zeri.

Institucionet e Kosovës kanë ndarë një buxhet prej më shumë se 7.2 milionë eurosh për t’i marrë me qira 358 vetura, të cilat do t’i shfrytëzojnë për 66 muajt e ardhshëm.

Por, një vendim të tillë nuk po e marrin edhe për blerjen e autoambulancave, për të cilat kanë nevojë pacientët e institucioneve publike shëndetësore.

Në shërbim të pacientëve në të gjithë Kosovën janë në dispozicion vetëm 92 autoambulanca, ku disa qendra kryesore të mjekësisë familjare kanë vetëm një autoambulancë dhe kur kërkohet të intervenohet në dy raste të njëhershme, atëherë rrezikohet edhe jeta e qytetarëve, derisa institucionet e vendit vlerësohet se i kanë në dispozicion mijëra vetura për shërbyesit civilë.

Javën e kaluar gazeta “Zëri” ka raportuar se përmes një tenderi publik të zhvilluar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) kompania “Automita” ka fituar 4 llote të tenderit: “Shfrytëzimi afatgjatë i automjeteve me qira”, ku vlera e të gjitha loteve është mbi 7.2 milionë euro, derisa kontrata mes autoritetit kontraktues dhe kompanisë fituese është nënshkruar më 16 dhe 24 tetor të këtij viti.

Për shfrytëzimin e një veture “Dacia SANDERO Ambiance” institucionet do t’i paguajnë 247 euro në muaj, derisa për shfrytëzimin e një automjeti “Renault Megan” do t’i paguajnë 347 euro në muaj.

Kodra: Rrezikohen pacientët në mungesë të autoambulancave

Besim Kodra, përfaqësues i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se në bazë të numrit të banorëve institucionet publike shëndetësore  duhet të kenë më shumë ekipe mjekësore dhe autoambulanca në shërbim.

Sipas tij, kjo tash për tash nuk po zbatohet.

“Ka kërkesa të jashtëzakonshme për autoambulanca në krejt Kosovën. Nuk janë më shumë se 92 autoambulanca në krejt Kosovën që janë tash për tash në shërbim”.

Kodra thotë se nevojat për autoambulanca janë të mëdha.

“Disa QKMF e kanë veç një autoambulancë. Nëse njëra intervenon në një rast, një rast tjetër është i rrezikuar sepse nuk ka mundësi të shkoj shpejt tek ai rast”, thotë Kodra.

Kodra thotë se duhet të rritet buxheti në këtë drejtim jo veç për autoambulanca, por edhe që të blihen helikopterë për QKUK-në për t’i bartur banorët në rast ngarkese të komunikacionit.

E këtë e quan të nevojshme sidomos për zonat e thella malore.

Suma: Hani i Elezit shfrytëzon autoambulancë të aksidentuar

Refki Suma, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, thotë se për shkak të mungesës së buxhetit e kanë problem t’i plotësojnë të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Ai thotë se kjo komunë posedon dy autoambulanca, njërën më të vjetër, me të cilën madje është bërë disa herë ndeshje dhe një më të re, që është vënë në dispozicion të Qendrës Mjekësore katër vjet më parë.

“Po të kishim autoambulancë shtesë do të ishte më mirë sepse komuna jonë ka 10 mijë banorë, si dhe 2-3 mijë që vijnë nga Kaçaniku e fshatrat përreth Maqedonisë”, thotë Suma.

Ndërkaq Arben Vitia, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, thotë për gazetën “Zëri” se gjatë tre vjetëve të fundit janë blerë nga Komuna e Prishtinës edhe katër autoambulanca të reja me të gjitha pajisjet sipas standardeve më të larta.

“Numri i autoambulancave është i mjaftueshëm, por problemin kryesor e kemi me numrin e stafit në QMU (Qendrat e Mjekësisë Urgjente). Për shkak të rritjes së numrit të banorëve në Komunën e Prishtinës, shërbimeve të rritura të kësaj Qendre dhe për shkak se numri i të punësuarve në këtë qendër ka mbetur ai që ka qenë edhe para më shumë se 10 vjetëve e kemi të pamundur që t’i ofrojmë shërbimet optimale për qytetarët e komunës së Prishtinës”, thotë Vitia.

Pasi që ky numër përcaktohet nga niveli qendror, ai thotë se e kanë pasur të pamundur rritjen e stafit.

“Pavarësisht kësaj, falë punës së punëtorëve të kësaj qendre të gjitha shërbimet urgjente kryhen në mënyrë profesionale dhe korrekte. Nga një auditim i bërë së fundi koha mesatare e arritjes në vendin e ngjarjes të autoambulancave nga 13 minuta ka zbritur në 7.3 minuta, kjo falë angazhimit dhe punës së punëtorëve të kësaj qendre”.

Por, Vitia thotë se sipas një përllogaritjeje që kanë bërë në bashkëpunim me QMU-në nevojiten edhe së paku 24 punëtorë shëndetësorë në mënyrë që të plotësohen sa më mirë kërkesat e qytetarëve.

“E sidomos duke synuar ‘minutat e arta’ të arritjes në vendngjarje kur ka thirrje në këtë qendër, që do të thotë uljen në pesë minuta nga momenti i thirrjes”, ka thënë ai.

Vitia ka thënë se kanë bërë kërkesa në nivelin qendror që të shtohet numri i stafit.

Ai pret që kjo kërkesë të futet në buxhet për vitin 2018.

“Çohu”: Urgjente autoambulancat, jo veturat

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, thotë se më urgjente është çështja e autoambulancave me të cilat varet jeta e qytetarëve sesa të flitet për blerje të veturave ose marrje me qira për zyrtarë shtetërorë.

“Kur flasim për vetura që janë për zyrtarë dhe në anën tjetër po flasim për autoambulanca me të cilat varet jeta e qytetarëve tanë, atëherë çështja më urgjente është çështja e autoambulancave se gjithçka tjetër. Kur s’ka autoambulanca spitali që të shkojë ta marrë pacientin dhe ta sjellë në spital, atëherë çka mund të flasim tjetër”.

Demhasaj thotë se është çështje parësore që Qeveria jonë duhet të ketë kujdes në këtë pikë. Ai thotë se Ministria e Shëndetësisë duhet t’u paraprijë të gjitha nevojave që kanë të gjitha spitalet rajonale dhe ta dorëzojë një projekt tek Ministria e Financave për vitin 2018.

“Duhet të parashihet edhe buxhet shtesë në MSH që të merren me këto mungesa të tilla dhe të mbulohen”.

Ai thotë se MSH-ja duhet që të gjitha ato spitale që kanë mungesë të autoambulancave të parashohin buxhet dhe të blihen ato që të plotësohen nevojat e spitaleve rajonale.