Vazhdon projekti ‘Lugina e Diellit’ në Zveçan

Aktuale November 05, 2017 - 23:43

Krejt në heshtje, projekti i mbështetur nga qeveria e Serbisë për t’u ofruar strehim rreth 300 familjeve të serbëve të kthyer në veriun e Kosovës, është duke vazhduar.

Vendbanimi i ri i quajtur “Lugina e Diellit” është duke u ndërtuar pavarësisht kundërshtimeve të autoriteteve qendrore të Kosovës që pretendojnë se ky projekt nuk ka leje.

Ekipi i KALLXO.com ka vizituar të premten pasdite vendin ku janë duke u kryer punimet në ndërtimin e shtëpive.

Vendi i ndërtimit është i rrethuar me rrjet të metaltë ndërsa në të dy rrugët në hyje dhe dalje të kësaj lagjeje janë vendosur pikat e kontrollit në të cilat qëndrojnë punëtorët e sigurimit.

Në ndërtim e sipër janë edhe rruga me trotuarë dhe objektet e mëdha të cilat mund të jenë shkollë apo çerdhe për banorët e rinj që pritet ta popullojnë këtë lagje.

Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi, tha të dielen për KALLXO.com se Inspektorati i Ministrisë “nuk ka kurrfarë njohurie nëse ata kanë aplikuar apo kanë leje” për t’i vazhduar ndërtimet.

Qeveria e Kosovës, në qershor të vitit të kaluar, kishte kundërshtuar këtë projekt, ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte urdhëruar ndaljen e punimeve.

Për këtë çështje madje ka pasur një takim ndërmjet ish ministrit të Mjedisit, Ferid Agani, ish ministrit për Pushtet Lokal, Lubomir Mariq dhe kryetarit të komunës së Zveçanit, Vuqina Jankoviq.

Projekti ishte kundërshtuar edhe nga banorët shqiptarë të Kroit të Vitakut, vendbanim në veri të Mitrovicës, të cilët disa herë janë ndaluar nga autoritetet komunale që t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre.

Në reagimin e vet të qershorit të vitit të kaluar, qeveria e Kosovës i kishte konsideruar të papranueshme përpjekjet e “qarqeve të caktuara”, që në kundërshtim me aktet ligjore dhe procedurale, të iniciohet ndërtimi i projektit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në veri të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është informuar nga ministrat përkatës për këto veprime të kundërligjshme dhe ka ngarkuar Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Kthimit dhe të Komuniteteve, në bashkëpunim edhe me Komunën e Zveçanit, që të ndërmarrin masat e duhura për ndërprerjen e veprimeve të tilla dhe të përmbushen të gjitha kushtet ligjore”, thuhej në deklaratën e qeverisë.

Image

Image

Image

Image

Image