Pacolli i kundërpërgjigjet ambasadorit rus në Beograd

Aktuale November 05, 2017 - 17:45

Zëvendëskryeministri njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i është përgjigjur deklaratës së ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin, i cili ndër të tjerash kishte deklaruar se Kosova mbetet pjesë e Serbisë.

Me këtë rast Pacolli ka theksuar se është për keqardhje se si një titullar kaq i lartë bën deklaratë të tilla, që nuk i kontribuojnë paqes, stabiliteti dhe nderimit të besimit dhe pajtimit në Ballkanin Perëndimor.

LEXO EDHE: Ambasadori rus në Beograd: Sipas ligjeve ndërkombëtare, Kosova mbetet pjesë e Serbisë

Sipas Pacollit, Rusia në vazhdimësi ka qenë pjesë e procesit të negociatave për zgjidhjen e statusit përfundimtarë të Kosovës.

Kjo është deklarata e plotë e Pacollit:

“E lexova me vëmendje të shtuar deklaratën e Ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin, i cili sipas raportimeve të mediave, ndër të tjera, kishte deklaruar se ‘...sa i përket Kosovës, sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, Kosova mbetet pjesë e Serbisë…’.

Është, vërtetë, për keqarjdhje, që një titullar kaq i lartë diplomatik bën deklarata të tillla, që nuk i kontribojnë aspak paqes, stabilitetit dhe ndërtimit të besimit dhe pajtimit në Ballkanin Perendimor.  

Rusia, në vazhdimësi  ka qenë pjesë e procesit të negociatave për zgjidhjen e statusit përfundimtarë të Kosovës.

Mbase ka kaluar një kohë pak sa e gjatë --rreth 6 vjet dhe Ambasadorit rus nuk i është kujtuar, por, po e shfrytëzojë këtë rast për t’i ri-kujtuar se Organi Kryesor i Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kishte vërtetuar me vendimin e saj se ‘shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel as të Drejtën e Përgjithshme Ndërkombëtare, Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 apo Kornizën Kushtetuese…’.

Në këtë proces edhe shteti, që ai përfaqëson deponoi kontributet e tij me shkrim dhe me gojë. Unë, thjeshtë nuk e di se për çfarë Ligjesh dhe Rregullash tjera ndërkombëtare flet përfaqësuesi diplomatik rus. Në mbështetje të asaj që u tha më lartë, nuk mund të jap vlerësim tjetër pos atij të vazhdimësisë së pretendimeve ruse për krjimin e lajmeve të rreme dhe krijim hutie tek opinioni lokal dhe ndërkombëtarë”.