'Demarkacioni, mjet i kryeministrit për ardhje në pushtet'

Aktuale November 04, 2017 - 10:12

Haxhi Abdyli, deputet nga radhët e LDK-së, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se Demarkacioni është përdorur si mjet për të ardhur në pushtet nga Haradinaj, gjë që e ka dëmtuar Kosovën.

“Çështja e demarkacionit është një çështje e cila është përdorur si një kauzë nga vetë kryeministri Haradinaj, që tani ka “gojën plot” që do ta vendosë kufirin në Çakorr dhe në Kullë, por një dihet, që ai i ka bërë dëm Kosovës shumë me ngritjen e kësaj çështjeje në një kauzë politike që e ka dëmtuar Kosovën, duke e përdorur këtë kauzë për ardhje në pushtet”, ka thënë Abdyli për Zërin.

Sipas tij, edhe pse LDK-ja mund të mos pajtohet në lidhje me Demarkacionin, por përdorimi i çështjeve të tilla për ardhje në pushtet dhe pastaj me ardhjen në pushtet të mundohet që të shfajësohet, kjo është e papranueshme. Ai thotë se LDK-ja ende nuk ka një qëndrim për Demarkacionin, por që një gjë e tillë gjithmonë do të bëhet në të mirë të qytetarëve.

“Unë si deputet ende nuk e di cili do të jetë qëndrimi i LDK-së për këtë çështje, por gjithmonë do të jetë në të mirë të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, por edhe në interes të mbrojtjes së interesave të secilit qytetar që ka argumente të mirëfillta rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Abdyli. Ai gjithashtu thotë që Demarkacioni si kusht nuk është i drejtë, i cili është lidhur me liberalizimin, derisa shtetet tjera nuk e kanë pasur këtë kusht. Sipas tij, edhe kryeministri sot po e sheh se për këtë çështje nuk ka ndonjë zgjidhje të mirëfilltë dhe sigurisht që humbësi më i madh i kësaj do të jetë qytetari i Kosovës, vlerëson Abdyli. /ZERI/.