Haziri: Pas 100-ditëshit të Qeverisë do të veprojmë

Aktuale November 03, 2017 - 10:26

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri (i cili edhe para pak ditësh ka përmendur ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë), ka thënë se Qeveria aktuale ose duhet të dorëzohet, ose të rrëzohet nga opozita, shkruan "Zeri.info".

Ai me këtë rast ka thënë se pas 100 ditësh pune të Qeverisë LDK-ja do ta bëjë vlerësimin dhe do të veprojë më tutje.

“Unë e kam paraqitur nevojën që pas 100 ditësh qeverisjeje grupi ynë parlamentar të ulet ta bëjë vlerësimin e arritjeve apo rezultateve të kësaj qeverisjeje të PAN-it, e cila, sipas krejt parametrave, t’ua them qartë është në nivelin e njëjtë të parashikimeve tona, sepse është qeverisje e pakicës politike, e varur shumë prej pakicave etnike. Dhe vështirësitë që po i dalin kësaj qeverisjeje ose duhet vetë të dorëzohet, ose duhet ne me mocion ta zgjidhim këtë problem”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithatë Haziri ka thënë se nuk ka një kohë të caktuar se kur do të ngrihet ky mocion, porse do të veprohet posa të kryhen zgjedhjet lokale.

“Si t’i përfundojmë zgjedhjet lokale natyrisht se menjëherë LDK-ja do të veprojë, ne do të jemi opozitë konstruktive, por jashtëzakonisht aktive”, ka shtuar ai./ZERI/.