Komisioni për MSA-në nis punën me përplasje

Aktuale November 03, 2017 - 08:00

Ndonëse në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar për MSA-në parashihej të diskutohej rreth takimit të përbashkët që do të mbahej në Strasburg, atë e përshkuan polemikat dhe përplasjet mes pozitës e opozitës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Shkak i tërë kësaj u bë drejtuesi i këtij Komisioni, Xhavit Haliti, për të cilin opozita tha se u emërua në krye të saj me direktiva të kryetarit të Kryesisë, Kadri Veseli.

Ata me këtë rast insistuan se duhen ndjekur procedurat në mënyrë që të gjithë anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të vendosin për një gjë të tillë dhe mandej të konstituohet Komisioni. Përfaqësuesit e opozitës po ashtu kërkuan që të shtyhet takimi në Strasburg, i cili pritet të mbahet më 15 dhe 16 nëntor të këtij viti dhe pas kësaj lëshuan mbledhjen.

LEXO EDHE: Opozita synon ta rrëzojë Qeverinë në pranverë

Pavarësisht largimit të tyre pozita vazhdoi mbledhjen e vetme, me ç’rast ndau temat që do të diskutohen në Strasburg. Drejtuesi i këtij Komisioni, Xhavit Haliti, pavarësisht mospajtimeve të opozitës u shpreh optimist se anëtarët nga ky tabor do të marrin pjesë në takimin që pritet të mbahet në Strasburg.

Haxhiu: Emërimi i Halitit është shkelje e Rregullores

Albulena Haxhiu, anëtare e këtij Komisioni nga lëvizja “Vetëvendosje”, pas largimit nga takimi konsideroi se drejtuesi i këtij Komisioni Xhavit Haliti është caktuar në mënyrë arbitrare nga kryetari i Kryesisë Kadri Veseli.

Ajo më tej bëri të ditura kërkesat e opozitës, me ç’rast kritikoi drejtuesin e caktuar Xhavit Halitin.“Ne si opozitë kishim dy kërkesa: e para që të vendosë Kryesia e Kuvendit për përbërjen dhe për kryesimin e Komisionit për MSA-në dhe po ashtu që vizita e planifikuar të shtyhet për pas zgjedhjeve. Të dyja këto u refuzuan nga kryesuesi i vetëcaktuar Xhavit Haliti, i cili në mënyrë arbitrare po vepron karshi punëve që i kemi si Komision për MSA-në”, shtoi ajo, shkruan Zeri.

Me këtë rast deputetja e LVV-së tha se një gjë e tillë është shkelje direkte e Rregullores së Kuvendit.

“Kjo është shkelje e Rregullores, arbitraritet dhe kështu nuk mund të bashkëpunojmë me një njeri të tillë dhe me një komision, i cili bën përpjekje që ta mbysë zërin e opozitës”, theksoi ajo. Ndërkohë bëri të ditur se shqetësimet e opozitës do t’i përcillen edhe delegacionit në Strasburg për faktin se kjo që po ndodh në Kuvendin e Kosovës është e papranueshme.

Pakënaqësi me emërimin e Xhavit Halitit në krye të këtij Komisioni shprehën edhe anëtarët e LDK-së, të cilët kërkuan që të ndiqen procedurat.

Haliti: Takimi në Strasburg u caktua 6 muaj më përpara

Ndërkaq drejtuesi i Komisionit për MSA-në, Xhavit Haliti, vlerësoi se konstituimi i Komisionit është vonuar për shkak të zgjedhjeve. Ai më tej duke folur rreth kërkesave të opozitës tha se zgjedhja e drejtuesit mund të diskutohet edhe një herë në Kryesi pas mospajtimeve të taborit opozitar.

“Siç e patë, opozita pati një vërejtje, të arsyeshme besoj, ashtu siç ishte i arsyeshëm vendimi i kryetarit që të përshpejtohej përgatitja. Ata kanë kërkuar që ta shqyrtojmë edhe një herë në Kryesi. Ne do ta shqyrtojmë. Por besoj që opozita do të vijë në takimin e ardhshëm dhe besoj se do të vijë edhe në Strasburg”, theksoi ai.

Ndërkohë, duke folur për kërkesën tjetër të opozitës që të shtyhet data e takimit në Strasburg meqë është caktuar në kohë fushate (15, 16 nëntor), Haliti tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë meqë ajo është caktuar qysh gjashtë muaj më parë. “Ky takim është caktuar 6 muaj përpara, ne mund të mos shkojmë se ata nuk na bëjnë ndonjë dëm personal, por është në dëm të interesave të Kosovës”, theksoi ai./ZERI/.