Një vit pas vdekjes së Astrit Deharit flet prokurori: Komenton ekspertizën e re

Aktuale November 02, 2017 - 13:15

Prokurori i rastit të Astrit Deharit, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Metush Biraj në një prononcim për Gazeta Blic, ka dhënë informacione lidhur me përmbylljen e hetimeve dhe ka komentuar kërkesën e familjes për dërgimin e ekspertizës së re në Zvicër për të cilën Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro.

Biraj tha se sa i përket këtij rasti nuk ka se çka të komentohet, duke ju referuar deklaratave të cilat tashmë ata kanë bërë publik për media.
Mirëpo, i pyetur për ekspertizën të cilën familja e të ndjerit Dehari ka kërkuar të bëhet në Zvicër dhe për të cilën Qeveria ka ndarë 50 mijë euro, prokurori Biraj është i sigurt që nuk do të ndikojë asgjë sa i përket të gjeturave të deritashme.

”Jo nuk mendoj që ka mundësi me ndiku asgjë.”, tha shkurt ai.Biraj ka mbrojtur të gjeturat dhe qëndrimin e prokurorisë që kanë cilësuar këtë vdekje si vetëvrasje, duke shtuar se për këtë ata nuk kanë asnjë dyshim.”Po natyrisht ne i kemi qëndrimet tona, ne kemi dal në opinion me komunikatë që e kemi cilësu rastin si të tillë, që nuk ka domethënë kurrfarë indikacioni që personi në fjalë, i ndjeri është vra, por përkundrazi krejt provat që janë grumbulluar, materialet dhe ato tjerat që i kemi grumbulluar japin konkluzionin apo përfundimin që është vetëvrasje tipike, pra skemi indikacione me dyshu që kemi të bëjmë me vrasje.”, shtoi ai.

Sipas tij, ka mbetur edhe pak kohë deri në përmbylljen e rastit Dehari, mirëpo ende po punohet në disa çështje teknike që siç thotë prokurori nuk janë me interes për publikun.”Krejt opinioni është i njoftuar dhe e dinë krejt un spo di tash çfarë informacioni mundem me dhanë, kemi edhe disa çështje teknike për me e pëmbyllur rastin.”, tha ai.

Biraj shtoi se sapo të përmbyllet rasti do të dalin me një njoftim nga Prokuroria Themelore në Prizren.‘‘D.m.th kanë mbetë edhe disa finesa teknike edhe me e përmbyll rastin. Disa çështje teknike që nuk janë shumë me relevancë për opinionin. Së shpejti do të përmbyllet rasti, do të dalim me një njoftim.”, përfundoi ai.I ndjeri Astrit Dehari, ka ndërruar jetë në burgun e Prizrenit me 5 nëntor të vitit 2016-të. Ai u arrestua me 30 gusht të vitit të kaluar, nën akuzën se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.