Themelimi i Ushtrisë së Kosovës drejt fazës përfundimtare?

Aktuale November 02, 2017 - 08:19

Disa muaj më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte bërë deklarata të ‘forta’, në lidhje me themelimin e Ushtrisë së Kosovës, por nga të cilat u zmbraps brenda pak javëve.

Ai në maj të këtij viti kishte thënë se “jap dorëheqje nëse Kuvendi nuk e voton ushtrinë”, gjë e cila edhe sot e kësaj ditë nuk ka ndodhur.

Vetëm një muaj më vonë shefi i shtetit, e kishte  tërhequr edhe zyrtarisht nismën e tij ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision të ri, ushtarak.

Thaçi aso kohe i kishte dërguar letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga i cili ka kërkuar që Projektligji i propozuar për transformimin e FSK-së të mos vihet për miratim në Kuvend.

“Ngrirja” e Projektligjit të propozuar, sipas Thaçit ishte bërë me qëllim që të provohet sërish “mundësia e fundit”, që transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, ku do të përfshiheshin në bisedime faktori ndërkombëtar dhe komuniteti serb.

LEXO EDHE: Thaçi: FSK-ja sa më parë të shndërrohet në FAK

“Zbutja” e të parit të Kosovës, në lidhje me transformimin e FSK-së në FAK, ka bërë që ai të deklaroj se kjo çështje duhet të përmbyllet përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimeve ligjore dhe se pikërisht këtu kishte lindur edhe keqkuptimi.

Thaçi një ditë më parë, në një konferencë të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë lidhur me qëndrimin i komunitetit serb rreth ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se disa shtete të NATO-s konsiderojnë se ky proces për shkaqe të njohura duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese, ndërsa disa shtete të tjera konsiderojnë se në rast se kjo nuk arrihet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, atëherë i njëjti proces mund të përfundojë me ndryshime ligjore.

Ai është shprehur i bindur se jemi në hapin final të bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n.

“Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, është në interes të gjithë qytetarëve, në interes të të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon”, ka shtuar Thaçi.

Por, analisti Ramush Tahiri, duke e komentuar çështjen e themelimit të FAK-ut dhe diskursit të politikës kosovare përballë kësaj teme ka theksuar se serbët janë qytetarë të barabartë të Kosovës, që i respektojnë të drejtat kushtetuese njerëzorë dhe kushtetuese.

Sipas tij, Pakoja e Ahtirsarit, serbëve iu ka dhënë disa të drejta të garantuara, por kanë edhe të drejtë vetoje në disa çështje që janë në interes të Kosovës.

“Në Kushtetutë janë të numëruara se në cilat çështje ata i kanë këto të drejta, mirëpo Kushtetuta jonë e ka një lëshim, sepse parasheh që çdo për ndryshim kushtetues ta kemi edhe miratimin e 2 të tretave të deputetëve nga radhët e minoriteteve, ku serbët e përbëjnë gjysmën e tyre”, ka shtuar Tahiri.

Sipas tij, çështja e ushtrisë lidhet me shtetin, sepse secili shtet ndoshta edhe në aspektin simbolik, e ka ushtrinë e saj.

“Tërheqja ose jo e fjalëve të presidentit të vendit për këtë çështje nuk është me shumë rëndësi, sepse për çdo ndryshim  kushtetues – përfshirë edhe ushtrinë – nevojitet miratimi i pakicës serbe”. /Telegrafi/