Pasojat e propagandës serbe me Surinamin

Aktuale November 02, 2017 - 08:12

Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare thonë se njohja në asnjë rrethanë nuk mund të tërhiqet, madje as në rastet më ekstreme kur vendet futen në luftë mes vete. Mirëpo, sipas tyre, kjo propagandë që po bëhet nga Serbia kinse shteti i Surinamit e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës mund ta stopojë procesin e njohjeve nga shtetet tjera, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shteti i Surinamit nuk mund ta tërheqë njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ashtu siç po pretendon shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, pasi që, sipas së drejtës ndërkombëtare, shteti që e njeh një shtet tjetër në asnjë rrethanë nuk mund ta tërheqë njohjen.

LEXO EDHE: Qeveria me 200 këshilltarë!

Kështu vlerësojnë ekspertët e së drejtës ndërkombëtare, duke shtuar se njohja ndërkombëtare nuk mund të tërhiqet as në rastet më ekstreme, siç është futja në luftë e dy shteteve.

Megjithatë, njohësit e së drejtës ndërkombëtare kanë thënë për Zërin se propaganda e tillë që po bëhet nga Serbia ndaj shtetit të Kosovës do të mundë të ndikojë negativisht në sigurimin e njohjeve tjera për vendin.

LEXO EDHE: Thaçi: FSK-ja sa më parë të shndërrohet në FAK

Derisa në Ministrinë e Jashtme të Kosovës (MPJ) kanë thënë për Zërin se deri më tash nuk kanë pranuar asnjë dokument zyrtar në lidhje me atë se Surinami ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë deklaruar se MPJ-ja duhet të raportojë para komisionit lidhur me këtë çështje në ditët në vijim.

Matoshi: MPJ-ja nuk ka marrë asnjë shkresë zyrtare për tërheqje të njohjes

Halil Matoshi, drejtor i Zyrës për Informim në Zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë për “Zërin” se Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka marrë asnjë shkresë zyrtare për tërheqjen e njohjes nga Surinami.

Ai me këtë rast ka thënë se njohja nuk mund të tërhiqet. Kurse duke folur për mundësinë e ngrirjes së raporteve mes dy shteteve Matoshi ka thënë se ende nuk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

“E drejta ndërkombëtare nuk e njeh konceptin e çnjohjes së një shteti që e ka njohur më përpara, por njeh ngrirje ose revokimin të marrëdhënieve diplomatike, porse Kosova dhe Surinami nuk kishin vendosur ende marrëdhënie diplomatike ndërmjet vete që të ndodhte shkëputja e këtyre marrëdhënieve”, ka thënë ai.

Ndërkohë lajmi për një gjë të tillë, se Surinami e ka tërhequr njohjen, erdhi para pak ditësh nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq. Ai tha se për këtë e ka informuar MPJ-në e Surinamit, me ç’rast shtoi se lidhur me këtë vendim është punuar dhe është negociuar shumë.

Por, duke folur rreth kësaj çështjeje, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm”, ka deklaruar ai për REL-in. Delawie më tej u ka bërë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë. Ndërkohë që ka thënë se edhe Kosova, edhe Serbia duhet të përqendrohen në rezultatin final dhe të arrijnë marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Gorani: MPJ-ja duhet ta qartësojë para komisionit këtë rast

Nga ana tjetër Dukagjin Gorani, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme (nga LVV-ja), ka konsideruar se për një çështje të tillë duhet të bisedohet në mbledhjet e ardhshme të këtij komisioni.

“Presim që në takimet e radhës të komisionit të bisedohet pikërisht për këtë. Adresa e vetme sot është Ministria e Jashtme. Ata janë në kontakt dhe ishte dashur të na ofronin një shpjegim, qartësim të arsyeshëm”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë ka konsideruar se procesi i njohjeve është lënë krejtësisht pas dore nga institucionet e Kosovës. Porse për rastin e “tërheqjes së njohjes” ai ka thënë se MPJ-ja duhet të raportojë para komisionit.  

“Ka qenë i lënë pas dore, po bëhet fjalë për një ngecje të madhe në fushën diplomatike. Mirëpo, për këtë rast MPJ-ja duhet ta qartësojë edhe para opinionit, por edhe para komisionit”, ka shtuar Gorani.

Ndërkohë, pas raportimeve të tilla ka reaguar edhe MPJ-ja e Kosovës, e cila ka thënë se nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar në lidhje me raportimet se Republika e Surinamit ka tërhequr njohjen ndaj Republikës së Kosovës.

Hoti: Në asnjë rrethanë shtetet s’mund t’i tërheqin njohjet

Nga ana tjetër Afrim Hoti, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka konsideruar se tërheqja e njohjes së Kosovës nga ana e Surinamit është spekulim i Serbisë. Kjo meqë një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në asnjë rrethanë.

“Unë mendoj që janë të gjitha pjesë e spekulimeve nga diplomacia e Serbisë, sepse çështja e njohjes është e rregulluar me të drejtat ndërkombëtare dhe shteti që njeh një shtet tjetër në asnjë rrethanë nuk mund ta tërheqë njohjen. Me fjalë të tjera, kjo konsiderohet se është akt i njëanshëm juridik, kombëtar e i parevokueshëm”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Profesor Hoti me këtë rast ka bërë të ditur se njohja nuk mund të hiqet as në rastet më ekstreme, siç është futja në luftë mes dy shteteve.

“Madje as në rastet më ekstreme kur shtetet mund t’i ndërpresin të gjitha llojet e marrëdhënieve mes vete ose mund të futen edhe në luftë me njëra-tjetrën, por në asnjë moment nuk mund ta bëjnë tërheqjen e njohjes së njëra-tjetrës”, ka shtuar ai.

Megjithatë ai ka konsideruar se propaganda e tillë nga ana e Serbisë mund të ndikojë negativisht për Kosovën.

“Tërheqja e njohjes nga Surinami, propagandë e Serbisë”

Kurse Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ndonëse ka konsideruar se njohjet s’mund të tërhiqen, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të ketë nisma të tilla prej shteteve të tjera, pos Surinamit.

“Në teori, por deri më tani edhe në praktikë të së drejtës ndërkombëtare publike, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk mund të ketë iniciativa të tilla prej shteteve, sidomos kur diplomacia e Kosovës në këtë rast ka qenë shumë pasive për t’i ruajtur marrëdhëniet me vendet të cilat e kanë njohur Kosovën. Kështu që mund të vihet deri te një ftohje e raporteve mes dy shteteve, por tërheqja e njohjeve nuk mund të bëhet”, është shprehur ai.

Murati më tej ka thënë se propaganda serbe ka pasur efekt negativ edhe më herët, andaj pala kosovare duhet sa më shumë ta promovojë shtetin e Kosovës.

Ndërkaq Dashnim Ismajli, profesor i shkencave politike, ka konsideruar se dokumenti i publikuar për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shteti i Surinamit më shumë mund të cilësohet si një propagandë e shtetit të Serbisë.

Por pavarësisht se një gjë e tillë është propagandë, sipas Ismajlit, mund të ndikojë në stopimin e njohjeve të reja.

“Megjithatë, edhe pse dokumenti në fjalë kontekstualisht ka një paqartësi, Serbia po e shfrytëzon këtë relacion përmes propagandës në disfavor të Republikës së Kosovës, ku rasti i Surinamit mund edhe të shkaktojë stopim, ngadalësim të njohjeve të shtetit të Kosovës dhe ndoshta kjo mund të shihet edhe si tentativë nga shteti serb që të shkaktojë domino-efekt te vendet e tjera për të mos e përkrahur Kosovën dhe perpsektivën e saj”, ka deklaruar ai, duke shtuar se pavarësisht këtyre njohjet nuk mund të tërhiqen.