Thaçi: FSK-ja sa më parë të shndërrohet në FAK

Aktuale November 02, 2017 - 08:07

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se është në të mirë të vendit, si dhe në të mirë të qytetarëve serbë në Kosovë, që sa më parë Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) të shndërrohen në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), shkruan sot Gazeta "Zëri".

Këto deklarata Thaçi i bëri dje në një debat të hapur me shoqërinë civile, ku diskutohej rreth qëndrimit të komunitetit serb për ndryshimin e mandatit të FSK-së, me ç’rast tha se askush nuk mund ta pengojë qëllimshëm formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në këtë debat morën pjesë edhe njohës të sigurisë (përfaqësues të organizatave joqeveritare), të cilët, sipas hulumtimeve që kishin bërë, kanë arritur në përfundim që shumica e serbëve janë kundër formimit të ushtrisë dhe kundër pjesëmarrjes së tyre në ushtri në qoftë se formohet.

LEXO EDHE: Qeveria me 200 këshilltarë!

“Jam i bindur që ky hap final i bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në interes të të gjitha komuniteteve të sigurisë dhe të paqes në Kosovë dhe në rajon. Për më tepër, duhet ta bëjmë të qartë se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin asnjë lloj kërcënimi, ashtu siç nuk paraqet sot asnjë kërcenim FSK-ja”, pra qëllimi i vetëm i FSK-së sot dhe i FAK-ut nesër do të jetë i njëjtë, fuqizimi i paqes dhe i sigurisë në të gjitha vendet në rajon. Ky proces i filluar vite më parë gradualisht është duke shkuar drejt fazës përfundimtare”, tha ndër të tjera Thaçi.

Thaçi thotë se askush nuk mund ta bllokojë qëllimshëm këtë proces dhe se ai do të vazhdojë të insistojë, duke biseduar kështu me politikanët serbë, si dhe me qytetarët serbë në Kosovë, rreth kësaj çështjeje, në mënyrë që t`i bindë se ngadalësimi i kësaj çështjeje përveçse është në dëm të vendit, është edhe në dëm të tyre.

I pyetur se pse nevojitet krijimi i FAK-ut kur KFOR-i qëndron në Kosovë, Thaçi ka thënë se KFOR-i nuk mund të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë dhe se vendi duhet të qëndrojë në këmbët e veta.

Pas presidentit Thaçi fjalën e mori edhe Jovana Radosavljevic, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës së Re Sociale, e cila ka paraqitur rezultatet e një hulumtimi që është bërë me banorët serbë.

Serbët e shohin të panevojshëm krijimin e ushtrisë së Kosovës

Sipas këtij hulumtimi, është arritur në përfundim se serbët e shohin të panevojshëm krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“Në bisedë me përfaqësues politikë serbë kemi gjetur qëndrime kundërthënëse në raport me atë që tha presidenti. Pyetja kryesore në të cilën kemi tentuar të marrim përgjigje në këtë hulumtim është se cili ishte qëndrimi i komunitetit serb ndaj ushtrisë dhe pse është ky qëndrim”, përfundoi Radosavjevic.

E drejtori ekzekutiv i “HumaniCentar” dhe hulumtuesi i sferës së sigurisë në Mitrovicën e Veriut, Veroljub Petroniq, ka bërë të ditur se hulumtimi që “Qendra Humanitare” në Mitrovicë ka bërë përfshinë dhjetë komunat serbe në veri dhe në jug.

Të dhënat e këtij hulumtimi dalin të jenë se shumica e serbëve mendojnë që nuk duhet të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Edhe nëse formohet ushtria serbët nuk duhet të përfshihen”

“71,5 për qind e serbëve nuk i besojnë askujt dhe është një e dhënë brengosëse për Beogradin dhe për Prishtinën, pra të jemi realë dhe të themi se edhe njëra, edhe pala tjetër duhet të pyeten se si ka ndodhur kjo. 87,7 për qind mendojnë që nuk duhet të formohet ushtria e Kosovës, 8,7%  nuk kanë qëndrim për këtë, ndërsa vetëm 3,5 % e serbëve janë për atë se duhet të formohet ushtria e Kosovës”, ka përfunduar Petroniq.

E nëse një gjë e tillë ndodh, pra formohet FAK-u, sipas këtij hulumtimi serbët nuk duhet të përfshihen pasi që 73,4% janë kundër, ndërsa vetëm 12% pro.

Sipas Petroniq, këto të dhëna flasin për shumëçka dhe paraqesin realitetin në Kosovë.

Ndërkohë, ditë më parë Lista Serbe ka bërë të qartë edhe një herë qëndrimin e saj për formimin e ushtrisë së Kosovës, duke konsideruar që ka çështje më të rëndësishme se shndërrimi i FSK-së në FAK dhe si një çështje me rëndësi ata kanë renditur krijimin e Asociacionit me Komunat Serbe.