Diplomacia kosovare, fajtore për 'tërheqjen' e njohjeve

Aktuale November 01, 2017 - 19:58

Zëvendëskryeministri dhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq tha dje për mediat serbe se Surinami e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ky lajm bëri bujë edhe në mediat kosovare, por një gjë të tillë e mohoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Kosovës, shkruan Indeksonline.

Nëse një gjë e tillë ka ndodhur vërtetë, për çka Daçiq publikoi edhe dokumentin e tërheqjes, analistët thonë se fajtore është diplomacia kosovare.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu ka thënë në një prononcim për Indeksonline se kjo duhet të shihet si zhvillim negativ për imazhin e vendit.

“Nëse ka ndodh një gjë e tillë, është një zhvillim negativ, jashtëzakonisht i dëmshëm për Kosovën sepse flet për trendet e kundërta me ato pozitive për njohje të reja dhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës deri në anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Baraliu.

Sipas tij, është e mundur të jetë ashtu siç  raportohet, ani pse Ministria e Punëve të Jashtme po e kundërshton një gjë të tillë e që tregon se serbët po punojnë.

“Kjo flet për neglizhencën dhe pasivitetin ekstrem diplomatik dhe punën e mangët të institucioneve tona, veçanërisht ekzekutivit, qeverisë aktuale,  atyre të mëhershme dhe Ministrisë së punëve të Jashtme, sepse është shenjë negative dhe sinjal që Serbia po i jep botës që ne nuk po arrijmë të konsolidojmë shtetin, ta mbajmë atë dhe aq më pak ta avancojmë dhe ta përparojmë procesin e njohjeve deri në anëtarësim në OKB”, ka shtuar Baraliu.

Ai ka theksuar se nëse është e vërtet ajo që po thonë në zyrtarët në Beograd, të cilët sipas tij, dinë nganjëherë edhe të propagandojnë dhe të flasin të pavërteta, kjo do të duhej të ishte një alarm në radhë të parë për diplomacinë dhe për institucionet e Kosovës që të ngritën nga gjumi, nga letargjia që definitivisht duke u marr me interesat e tyre po e neglizhojnë në masë të konsiderueshme procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e ndryshme.

Fajin tek institucionet tona për “tërheqjen e njohjes së pavarësisë” nga Surinami e ka hedhur edhe analisti Imer Mushkolaj.

Ai ka thënë për Indeksonline se diplomacia duhet të punoj më shumë dhe të krijoj marrëdhënie të mira me shtetet tjera.

“Me shtetet që e kanë njohur Kosovën duhet kultivuar marrëdhënie diplomatike. Nuk mjafton vetëm që Kosovën ta njoh ndonjë shtet, por Prishtina duhet t'i mbajë marrëdheniet në forma te ndryshme. Për parandalimin e rasteve te ngjashme, diplomacia kosovare duhet të punojë më shumë”, ka thënë tutje Mushkolaj.