Kuvendi në 'gjumë', 4 seanca për 54 ditë

Aktuale October 30, 2017 - 08:15

Vetëm 4 seanca janë mbajtur gjatë 54 ditëve të fundit, prej kur është konstituuar Kuvendi i Kosovës. Madje këto seanca u vendos të thirren vetëm pas kritikave që mori Kosova nga ndërkombëtarët për mosfunksionim të Kuvendit, shkruan sot Gazeta "Zëri"
 
Që nga konstituimi i Kuvendit, më 7 shtator të këtij viti, deri më tash janë mbajtur vetëm 4 seanca, seanca këto që vendosën të thirren vetëm pas kritikave që mori Kosova nga ndërkombëtarët për mosfunksionim të Kuvendit.

LEXO EDHE: Milionat e partive nuk i nënshtrohen auditimit

Por, pas mbarimit të zgjedhjeve lokale, balotazhi sërish është një mundësi e afërt që Kuvendi përsëri ta stopojë punën e vet, ashtu siç bëri gjatë zgjedhjeve lokale, ku për afro një muaj qysh nga fillimi i saj ndaloi punën për të vazhduar përsëri më 2 tetor, shkruan tutje "Zëri".

Njohës të rrethanave politike në vend thonë se kjo legjislaturë ka qenë mjaft anemike në punën e saj dhe se Kuvendi po neglizhon punën, e duke vepruar kështu po ngecin edhe proceset që janë prioritete për vendin e që Kuvendi do të duhej ta shtonte në kalendarin e tij të punës numrin e seancave.

Por, për dallim nga kjo, udhëheqësit e Kuvendit thonë se materialet që ata posedojnë e që kanë nevojë të analizohen dhe të nxirren në diskutim në Kuvend janë të pakta dhe thirrja e seancave varet nga materialet që Qeveria ia dërgon Kuvendit.  

Haliti: Nuk do të ketë pengesa

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, në një prononcim për gazetën “Zëri” thotë se pengesa në mbajtjen e seancave në Kuvend nuk do të ketë, por sa shpesh mbahet ato varet nga Qeveria dhe nga grupet parlamentare. 

“Nuk besoj që do të ketë pengesa që të mbahet seanca, por kjo do të varet çka do të dërgojë Qeveria dhe grupet politike, se për çfarë temash do të kërkojnë për t’u mbledhur Parlamenti. Ne materiale thuajse nuk kemi të grumbulluara si Kryesi, të cilat duhet analizuar dhe duhet nxjerrë në diskutim dhe në miratim në Kuvend, kështu që nëse Qeveria i sjell ligjet që duhet miratuar apo raportet e komisioneve të ndryshme, apo të agjencive, ne mund të mblidhemi, apo eventualisht nëse ndonjë grup parlamentar kërkon debat me procedurë të përshpejtuar ose procedurë të rregullt, atëherë duhet të mblidhet”, ka thënë Haliti. 

Përpos që balotazhin e zgjedhjeve për kryetar komune Haliti nuk e sheh si mundësi pengese, ai thotë se pikërisht foltorja e Kuvendit mund të jetë një mundësi e mirë që kandidatët e komunave të zhvillojnë debat njëri me tjetrin. 

“Unë nuk e besoj se tash balotazhi e bën të veten dhe në seancat e djeshme një pjesë e deputetëve flisnin për komuna të veta dhe zhvillonin debat me njëri-tjetrin ose me kandidaturat për kryetar komune dhe unë mendoj që është edhe njëfarë favori për ata që janë në Parlament, ta shfrytëzojnë foltoren e Kuvendit për t’u ndihmuar të kandiduarve të tyre, ose për persona tjerë, që të flasin nga foltorja e Kuvendit”, ka thënë Halili.

Abdyli: Numrat në Kuvend, arsye për jofunksionalitet 
 
Haxhi Abdyli, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Kuvendi nuk është jofunksional vetëm për shkak të zgjedhjeve lokale, por edhe për shkak të numrave që e përbëjnë shumicën në këtë Kuvend. 

“Mendoj që Kuvendi është jofunksional edhe për një arsye tjetër, që është një Kuvend i brishtë nga numrat, me një shumicë e cila herë ka shumicën e në ditën tjetër nuk e ka, me një Kuvend i cili është i krijuar nga grupet politike të cilat nuk e bëjnë as shumicën shqiptare, përjashtim të kësaj, menaxhimi jo i duhur i Parlamentit dhe moskrijimi i një konsensusi për shumë çështje nga shumica që udhëheq Qeverinë, kjo tregon që ky Kuvend nuk është funksional”, ka thënë Abdyli. 

Ai gjithashtu ka thënë se nuk beson që ky Kuvend do të ketë jetë të gjatë.

Ai thotë se pavarësisht se LDK-ja e konsideron këtë Qeveri si të dëmshme për vendit, ata do të jenë në shërbim të qytetarëve.
 
“LDK-ja gjithmonë ka qenë parti shtetndërtuese, institucionale, edhe ligjet dhe projektet e ndryshme që kanë të bëjnë direkt me qytetarin e Kosovës do të tregohen konstruktive, pavarësisht se kush është në udhëheqje të kësaj Qeverie, sepse ne konsiderojmë që kjo Qeveri është e dëmshme, por ne duhet të punojmë për qytetarin e Kosovës dhe në këtë drejtim nuk do të punojmë për shkak të inateve, do të punojmë që të mos pësojë qytetari”, ka thënë ai. 

Alija: Kuvendi do të duhej ta shtonte numrin e seancave 
 
Kurse Rasim Alija, nga organizata joqeveritare “Demokracia për Zhvillim”, thotë se ligjet të cilat Qeveria ka parashikuar t’i procedojë në Kuvend deri në fund të këtij viti bien në kundërshtim me kohën që ka në dispozicion aktualisht.  

“Jo vetëm kjo legjislaturë, por edhe legjislatura e kaluar ka qenë anemike në punën e saj. Duke marrë parasysh kalendarin e ligjeve që ka parashikuar Qeveria t’i procedojë në Kuvend deri në fund të këtij viti, kjo nuk do të arrihet as në minimumin e saj. Në një kulturë politike ku puna e Kuvendit braktiset nga vetë deputetet, duke kanalizuar tërë potencialin e tyre në mbledhjen e votave dhe në fushatë në nivelin lokal, nuk pritet që të kemi as pas zgjedhjeve ndonjë punë të shtuar të Kuvendit”, ka thënë Alija. 

Sipas tij, në rrethana të tilla dhe me një numër shumë të madh të ligjeve që do të duheshin të procedoheshin më tutje Kuvendi do të duhej ta shtonte në kalendarin e tij të punës numrin e seancave, por një gjë e tillë me qasjen e tanishme vështirë që do të mundë të ndodhë.

Ismajli: Fushata elektorale ka luajtur një rol negativ
 
Dashnim Ismajli, njohës i çështjeve politike, konsideron se Kuvendi deri më tani me punën e tij është pasiv dhe ky pasivitet po ndodh për shumë arsye, e njëra ndër to është edhe frika e Qeverisë për t’u përballur me opozitën e vendit. 

“Mendoj se që nga konstituimi i Kuvendit nuk i është ofruar shoqërisë kosovare një shembull pune dhe debati parlamentar në frymën demokratike, andaj ky Kuvend që nga konsituimi i tij mund të karakterizohet si një Kuvend pasiv dhe ato seanca të pakta që janë zhvilluar përgjatë këtyre muajve janë zhvilluar me një kulturë jodemokratike dhe me gjuhë denigruese, fyerje, sharje e etiketime ndërmjet përfaqësuesve të tij”, ka thënë Ismajli. 

Ai thotë se me lënien anash të ligjeve që kanë rëndësi për vendin po ngecin procese të rëndësishme. 

“Kuvendi po neglizhon punën dhe duke neglizhuar punën e tij po ngecin edhe proceset që janë prioritare për vendin. Edhe fushata elektorale ka luajtur një rol negativ sa i përket aktivizimit të Kuvendit, intensifikimit të punës së tij dhe procedimit për miratim të ligjeve, ligje këto të rëndësishme për vendin, megjithatë mjaft të vështira për të gjetur miratimin në Kuvend, kur dihet se kemi një pozitë të kontestuar, një Qeveri të krijuar nga parti të vogla dhe jounifikiuese përballë një opozite të fortë dhe mirë të organizuar, që synim primar ia ka vënë vetes rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë ai. 

Ai lënien e Kuvendit “nën hije” e sheh edhe si frikë e kësaj Qeverie për t’u ballafaquar me opozitën në sfidat më vitale për vendin, të cilat janë edhe obligime ndërkombëtare dhe këto obligime duhet të përmbushen detyrimisht nga institucionet vendore. 

“Ky pasivitet i Kuvendit stërzgjat proceset që presin vendin dhe po ashtu mund të interpretohet si pasivitet për të blerë kohë nga ana e Qeverisë, që edhe vetë ajo e ka të qartë se në këtë përbërje e ardhmja dhe funksionaliteti i saj është i paqëndrueshëm dhe aspak i sigurt”, ka shtuar Ismajli.