Zyrtari i LDK-së i përgjigjet Vuçiqit: S’i bashkohemi Qeverisë që do rrëzohet shpejt

Aktuale October 29, 2017 - 17:05

Ish-Këshilltari i Isa Mustafës, Bajram Gecaj ka thënë se LDK nuk do t’i bashkëngjitet Qeverisë.

Ka thënë se shpejt Ekzekutivi i udhëhequr prej Ramush Haradinajt do të rrëzohet.

Reagimi i Gecajt erdhi pas një deklarate të Presidentit serb se partia e Isa Mustafës mund të bëhet pjesë e Qeverisë në rast se largohet Lista Srpska.

Njëri prej zyrtarëve të LDK-së ka thënë se kjo parti nuk do t’i bashkohet kësaj Qeverie edhe nëse largohet Lista Srpska.

Në fakt, Bajram Gecaj, ka thënë se shpejt Ekzekutivi i udhëhequr prej Ramush Haradianjt do të rrëzohet.

“Propagandës së elementëve të koalicionit qeverisës dhe të VV-së, ju paska bashkangjitur sot edhe pjesa tjetër e koalicionit i cili përkrahu mocionin e vetëbesimit kundër qeverisë së udhëhequr nga LDK. Aleksandar Vuqiç dhe bashkëmendimtarët e tij në Kosovë i sigurojmë që LDK nuk do ti bashkangjitet asnjëherë kësaj qeverie, por se do ta përmbysi atë në afatin më të shpejt të mundur”, ka thënë Bajram Gecaj, në një reagim në Fb.

Reagimi i Gecajt ka ardhur pas disa deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, i cili ka thënë se Lista Sprska mund të largohet nga Qeveria shkak i presionit që po i bëhet për themelimin e ushtrisë kosovare. Në një rast të tillë, Vucic ka thënë se LDK do të bëhet pjesë e Qeverisë. Madje, ka thënë se Partinë e Isa Mustafës shpejt mund ta udhëheqin Vjosa Osmani ose Lutfi Haziri.

Ndërkohë, Gecaj nuk ka komentuar idenë e Vucicit se shpejt në krye të LDK’së mund të vijnë figura të reja që do ta zëvendësojnë Isa Mustafën.

Aktualisht, LDK është në opozitë, si partia e dytë në nivel qendror, ndërsa, në nivel lokal është e para.

Ndryshe, Vucic, kishte paralajmëruar pas lirimit të Haradinajt nga Haga se Kryetari i AAK'së do të bëhej Zëvendëskryeministër derisa për Kadri Veselin kishte deklaruar se do të bëhet Kryeministër.