Pozita nuk i frikësohet mocionit për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale October 29, 2017 - 16:02

Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë ka paralajmëruar, se pas zgjedhjeve lokale do ta rishqyrtojnë inicimin e një mocioni të mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Por, ky mocion duket se nuk po i shqetëson partitë që janë shumicë në Kuvendin e Kosovës.

Deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë shprehur të bindur se partitë opozitare nuk i kanë numrat për rrëzimin e qeverisë që drejtohet nga Ramush Haradinaj.

Time Kadriaj deputete e AAK-së ka thënë për lajmi.net se nuk i frikësohen këtij mocioni, pasi opozita nuk i ka numrat për ta rrezikuar qeverinë.

“Është e drejtë e opozitës që të ngris mocion mosbesimi për qeverinë, por ju e dini që për ta rrëzuar qeverinë duhen 61 vota, e unë mendoj që opozita nuk i ka 61 vota dhe nuk e di se si do të mundet me rrëzu qeverinë përderisa nuk  kanë vota”, deklaroi Kadriaj.

Deputetja e AAK-së përmendi si fakt për këtë edhe miratimin e rishikimit të buxhetit, çka sipas saj tregon se pozita i ka numrat për çdo projektligj.

“Nuk i frikësohem këtij mocioni absolutisht jo. Ju e patë që ka qa qenë rishikimi i buxhetit në Kuvend që ka kaluar, po presim që tash të kalojë edhe në leximin e dytë. I kemi votat për buxhet, i kemi votat për çdo projektligj që nevojitet”, tha Time Kadriaj.

Në një linjë me Kadriajn është edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala.

Sipas tij, opozita mocionin po e përdor për fushatë elektorale para balotazhit.

“Është e drejtë kushtetuese e tyre. Çdo herë opozita prej ditës së parë fillon të thirret në mocion ndaj qeverisë, është e drejtë e tyre. Në momentin që i kanë numrat pse mos të bëjnë mocion, por unë besoj që ata nuk i kanë numrat. Ata e kanë sa për fushatë, për ta përfunduar balotazhin nëpër komuna ku kanë mbetur, dhe pastaj ata nuk do të përmendin mocione. Përndryshe numrat nuk i kanë.”, deklaroi Shala për lajmi.net

Edhe Nisma për Kosovën sipas Shalës nuk i frikësohet mocionit.

Ai thotë se nëse opozita do t’i kishte votat do ta dërgonin në Kuvend qysh në ditët e para të punës së Qeverisë.

“Nuk i frikësohemi mocionit të ngritur nga ata, sepse e dijmë saktë që nuk i kanë numrat. Pasi përndryshe do ta kishin ngritur qysh në ditën e parë dhe do ta kishin rrëzuar Qeverinë në fillim dhe do të ishte mbajtur si mend qeveria ma e shkurtë në botë. Por ata nuk i kanë numrat”, përfundoi deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala.

Si tendencë për fushatë elektorale, mocionin e mundshëm të opozitës e kishte cilësuar edhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Ai dje kishte thënë për lajmi.net se nëse opozita i ka votat për rrëzimin e qeverisë, atëherë duhet ta sjellë mocionin në Kuvend.

“Në qoftë se ka një kërkesë të tillë ne duhet ta qesim në shqyrtim në seancë, në qoftë se ata arrijnë t’i kenë votat për rrëzimin e qeverisë e rrëzojnë, në qoftë se jo qeveria vazhdon”, kishte thënë të shtunën Haliti.

Parlajmërimin për mocion i pari e ka përmendur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ai të premten kishte deklaruar se këtë çështje do ta rishqyrtojnë pas përfundimit të balotazhit për zgjedhje lokale.

Ndryshe zërat për rrëzimin e qeverisë kishin nisur qysh në ditët e para të punës së qeverisë Haradinaj, kur deputeti i Nismës Zafir Berisha kishte abstenuar, kurse Korab Sejdiu i AKR-së kishte kaluar si deputet i pavarur.

Nga mocioni i mosbesimit ishte rrëzuar edhe qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa. Ky mocion ishte thirrur nga Nisma për Kosovën, e përveç partive opozitare në legjislaturën e kaluar Vetëvendosje dhe AAK, ishte mbështetur edhe nga PDK që ishte në koalicion qeverisës me LDK-në.

Për të hyrë në rend dite të Kuvendit mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë duhet që të përkrahet nga 40 nënshkrime të deputetëve.

Ndërsa për të kaluar mocioni duhet votuar së paku 61 deputetë.