Limaj takon Ramën, diskutojnë për mbledhjen e 27 nëntorit

Aktuale October 27, 2017 - 19:44

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama, me të cilin ka biseduar për përgatitjet e mbledhjes se përbashkët të dy qeverive, e cila do të mbahet më 27 nëntor në Korçë.

Zëvendëskryeministri Limaj ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe për konkretizimin e marrëveshjeve të reja para mbledhjes së 27 nëntorit.

“Janë një numër marrëveshjesh konkrete të cilat duhet të fillohet të implementohen dhe për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja. Si Qeveri e Kosovës jemi të vendosur që marrëveshjet e arritura deri më tani të mos mbeten në letër, por të implementohen në praktikë”, ka thënë ai.

Kryeministri Rama ka thënë se edhe Qeveria shqiptare është e interesuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Zëvendëskryeministri Limaj dhe kryeministri Rama janë pajtuar që deri më 10 nëntor të finalizohen një sërë marrëveshjesh, të cilat më pas do të zyrtarizohen në mbledhjen e përbashkët më 27 nëntor.

Limaj gjatë kësaj vizite është takuar edhe me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Zëvendëskryeministri Limaj, është caktuar si përgjegjës për udhëheqjen e politikave ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo detyrë i është dhënë Limajt me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe mbikëqyrjes së zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe atyre që do të nënshkruhen në të ardhmen.