MSH-ja i paguan 300% më shtrenjtë barnat kundër kancerit (DOKUMENT)

Aktuale October 27, 2017 - 07:58

Ministria e Shëndetësisë (MSH) e ka rekomanduar nënshkrimin e kontratës me kompaninë fituese për furnizim me tableta “Imatinib”, që përdoren për trajtimin e leukemisë, me çmim prej 300 për qind më të shtrenjtë se çmimi me pakicë në tregun farmaceutik. Gazeta “Zëri” ua sjell faktet për këtë skandal me barna, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ministria e Shëndetësisë po planifikon që t’i blejë barnat që përdoren për trajtimin e të sëmurëve me leukemi 300 për qind më shtrenjtë sesa vlera e tyre në tregun farmaceutik me pakicë në Kosovë.

Bëhet fjalë për përfundimin e procedurave tenderuese për furnizim me tableta “Imatinib”, i cili bari, përpos që përdoret për mjekimin e leukemisë kronike, shfrytëzohet edhe për mjekimin e tumoreve malinje në lukth, me ç’rast Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka rekomanduar për nënshkrim të kontratës kompaninë “Redoni HM”, ku vlera e tenderit arrin në rreth 650 mijë euro.

Ministria e Shëndetësisë, e cila udhëhiqet nga Uran Ismaili, pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë e rekomanduar, pritet t’i paguajë 24 euro për një tabletë të tillë, ndonëse, sipas një hulumtimi të gazetës “Zëri”, barnat e tilla në barnatoret e kryeqytetit shiten për 7.5 euro, apo 16.5 euro më lirë se ato që do t’i blejë me shumicë ky dikaster qeveritar.

Gazeta “Zëri” ka vizituar një barnatore në Prishtinë, ku drejtuesit e saj që nuk kanë preferuar të flasin me emër kanë thënë se 30 tableta “Imatinib” i shesin 280 euro, apo 9.30 euro mesatarisht një tabletë.

Përderisa nga një barnatore në një qytet tjetër të Kosovës gazeta “Zëri” i ka blerë 30 tableta të tilla me një çmim prej 225 eurosh.

Për dallim nga Kosova, tabletat e njëjta në rajon shiten edhe më lirë. Në Shqipëri një tabletë e tillë shitet për më pak se 1 euro, derisa në Maqedoni dhe në Bosnjë shiten për 1.40 euroImage

Ministria e Shëndetësisë: Çmimin e tregut nuk e përcaktojmë ne

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se në tenderin për furnizim me 27 mijë tableta “Imatinib” kanë konkurruar dy kompani.

Sipas tyre, kompania “Redoni HM” ka aplikuar me 648 mijë euro, apo 24 euro për njësi, derisa kompania tjetër “Exclusive” ka aplikuar me 918.000 apo 34 euro për njësi.

“Vlera e kontratës së shpallur është 24 euro për njësi, apo më e lirë se kontrata paraprake, e cila ka qenë 32 euro për njësi. Mjete të parapara për kontratë kanë qenë 864.000 euro, ndërsa Ministria e ka shpallur fituese kompaninë me vlerë 684.000 euro.

Çmimin e tregut s’e përcakton Ministria, ai varet prej shumë faktorëve, ndërsa në vendet e tjera këtë ilaç e kanë të regjistruar më shumë kompani, ndryshe nga rasti i Kosovës, edhe kjo mund të jetë njëra nga arsyet e ndryshimit në çmim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tyre, me tenderët paraprakë Ministria e Shëndetësisë një tabletë të tillë e ka blerë me 34 euro.

Ata më tutje kanë bërë të ditur se kontrata mes operatorit ekonomik të rekomanduar dhe Ministrisë së Shëndetësisë pritet të nënshkruhet në ditët në vijim.

Gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje që ta kontaktojë kompaninë e rekomanduar, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Demhasaj: Prokuroria t’i nisë hetimet

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka thënë për “Zërin” se e vlerëson absurd faktin që Ministria e Shëndetësisë i paguan më shtrenjtë barnat nëpërmjet tenderëve publikë me shumicë sesa çmimit të të njëjtit bari në tregun me pakicë.

Ai ka shtuar se shuma të mëdha parash të buxhetit të MSH-së dyshohet se po keqpërdoren përmes tenderëve publikë për furnizim me barna të listës esenciale.

“Derisa çmimi i saj në barnatore është 7.5 euro e çmimi i saj në tenderin e MSH-së është 24 euro, këtu shihet qartë se bëhet fjalë për manipulim. Gjithmonë në raste të tilla Policia dhe Prokuroria duhet menjëherë t’i nisin hetimet, pasi që po keqpërdoren mjetet e taksapaguesve”, ka thënë Demhasaj për gazetën “Zëri”.

Më tutje Demhasaj thotë se nëse çmimi i saj në treg është dy herë më i lirë sesa çmimi që po e blen Ministria e Shëndetësisë, atëherë më e arsyeshme do të ishte që barnat e tilla të mos i blejë Ministria, por t’i blejnë pacientët vetë e më pas ato mjete t’ua subvencionojë Ministria.

Çmimi i tabletave “Imatinib”

24 euro, e kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë;

7.5 euro, çmimi me pakicë në tregun farmaceutik të Kosovës;

1.39 euro, çmimi në Bosnjë;

0.95 euro, çmimi në Shqipëri;