Hamidi: Edhe me pensionet e veteranëve po bëhet politikë

Aktuale October 25, 2017 - 22:00

Kryeredaktori i gazetës “Zëri”, Lavdim Hamidi, në emision “Click” të RTV21, ka thënë se është e vërtetë që është fryrë numri i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por që sipas tij, është për keqardhje që edhe me veteranët po bëhet lojë politike.

Ai po ashtu ka thënë se për buxhetin për veteranët e UÇK-së, edhe FMN-ja ia ka tërhequr vërejtjen Qeverisë, pasi që siç deklaroi ai, kjo shumë është e madhe dhe e papërballueshme.

“Sa i përket veteranëve unë mendoj se këtu prapë po bëhet një lojë politike sidomos në zgjedhjet lokale. Ka pas edhe vërejtje prej Fondit Monetar Ndërkombëtar që kjo shumë është e papranueshme. Dhe e gjithë kjo ka ardhur si pasojë e fryrjes së numrit të veteranëve. S’mundet të marrin pensione të veteranit ata që kanë luftuar dhe ata që e kanë parë luftën vetëm në televizor”, ka deklaruar Hamidi.

Hamidi po ashtu ka thënë se edhe zvogëlimi i buxhetit prej 2 miliardë eurosh në 1.8 miliardë është një lojë politike.