Zagani flet për dëshmitaren kyçe që mund të fundosë Saimir Tahirin

Aktuale October 25, 2017 - 20:33

Një ditë më parë, në vijimësi të hetimeve për bandën e Habilajve, dolën në skenë edhe emra të tjerë të përfshirë në përgjimet e bëra nga drejtësia italiane.

Ndërsa, Prokuroria italiane në dokument përmendi edhe emrin e ish-oficeres Brunilda Alikaj, si shoqëruesja e Moisi Habilajt në udhëtimet në Sicili.

Kjo e fundit, nga përgjimet (faqja 351), rezulton të jetë eksperte telekomunikacioni dhe në një rast udhëzon bashkëpunëtorin e Moisi Habilajt, Maridian Sulajn, që të tregohet i kujdesshëm me përdorimin e telefonit, sidomos në Itali.

Por për të mësuar më shumë rreth kësaj ish-oficereje dhe për të kuptuar nëse kishte ‘shenja’ të bashkëpunimit të saj me bandën e Habilajve, kohë më parë, ‘Panorama’ ka zhvilluar një intervistë me ish-shefin e Kufirit në Vlorë, Dritan Zagani.

LEXO EDHE: Nuk u arrestua, por shikoni çfarë i ndodhi tani Saimir Tahirit

Në këtë intervistë, Zagani, i larguar nga Shqipëria pas akuzave për shitje të informacionit tek autoritetet italiane, ka treguar se si e njeh ai ishoficeren Brunilda, e cilësuar si mikesha e Moisi Habilajt.

Ditët e fundit ka dalë nga provat sekrete të Prokurorisë, dëshmia e një ishoficereje policie në Vlorë, mikeshë e Habilajve, e cila ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë. E njihni ju atë?

Brunën oficere, në fjalë, e kam njohur dikur nëpërmjet punës, kur kam qenë me detyrë në Policinë Kufitare Vlorë. Për aq sa e kam njohur, kisha respekt dhe me vjen keq nëse është e vërtetë që ka rënë viktimë e banditëve Habilaj.

Keni punuar bashkë gjatë kohës që ju keni qenë shef i Kufirit në Vlorë?

Gjatë kohës që kam qenë me punë në Vlorë, kam pasur në dy raste të bashkëpunoja me të nga dinamika e punës që kam pasur me sektorin e Krimit Ekonomik, ku ajo ishte si specialiste.

Keni pasur ndonjë indicie, që ajo të ketë qenë mikeshë e Habilajve gjatë kohës që keni punuar bashkë?

Siç ju thashë, në atë kohë e njihja si një grua të rregullt, familjare dhe me 3 fëmijë. Për shaka, i thoja që ti dhe unë jemi oficerë me 3 kalamaj dhe as nuk e kisha menduar si lidhje të këtyre trafikantëve, por në vendin tim dhe tëndin sot, s’ka asgjë për t’u habitur.

Ish-ministri Tahiri ka nxjerrë sot dokumentin e Prokurorisë së Katanias, e cila thotë se nuk ka nisur asnjë hetim ndaj tij. A e lehtëson pozitën e Tahirit ky dokument?

Tahiri është në një pozitë që sado të mundohen këtej, nuk ka kush i bën derman më. Atij e “mira” po i vjen nga jashtë, të ishte për aty te ne, ishte akoma ministër.

Nëse Prokuroria do t’ju thërrasë, ose do të kërkojë t’ju pyesë për ngjarjet e periudhës 2013-2015, ju jeni të gatshëm për të dëshmuar sërish?

E kam thënë gjithmonë dhe e përsëris: nuk i shmangem drejtësisë për asnjë arsye, përjashto rrezikun e familjes. Nëse do ketë një interesim serioz nga drejtësia, unë jam gati, duhet gjetur vetëm forma se si të bëhet deponimi im. Ata e kanë në dorë vetë, si dhe kur të duan.