Ja sa persona u arrestuan sot gjatë votimeve në Mitrovicë

Aktuale October 22, 2017 - 19:53

Gjatë procesit të votimit në Mitrovicë ka pasur incidente si dhe janë arrestuar shtatë persona për shkelje të etikës zgjedhore.

Hasime Tahiri- Hasanaj nga Demokracia në Veprim në regjionin e Mitorvicës, për RTV 21 ka thënë se një person është arrestuar në fshatin Kaçanollë për shkak të mungesës së librit të nënshkrimeve.

Ajo ka treguar pse janë arrestuar personat e tjerë. Sipas Hasanajt kjo ka ndodhur për shkak të mospërputhjes së fletëvotimeve për kryetar të komunës me fletëvotimet për kandidatët për asamblenë komunale.

“Kanë qenë të arrestuar përfaqësues të të gjitha partive, kemi në fshatin Shupkovc, në shkollën “Migjeni”, në shkollën “Abdullah Shabani”, ka thënë Hasime Hasanaj.

Ajo ka shtuar se deri në orën 16:00 në Mitrovicën e Jugut kanë dalë për të votuar 30%, ndërkaq në pjesën veriore pak më shumë se 30%. Kurse për Skenderaj ka thënë se kanë dalë më pak se në Mitrovicë. Në Mitrovicën e Jugut të drejtë vote kanë 78 mijë e 507 qytetarë si dhe kanë qenë të hapura 28 qendra votimi me 100 vendvotime.