Kjo është arsyeja pse Kosova ka 150 mijë votues më shumë se banorë

Aktuale October 22, 2017 - 17:39

Në listat e votuesve të Kosovës ndodhen edhe banorët që jetojnë jashtë shtetit.

Kjo është njëra prej arsyeve pse numri i votuesve është më i madh sesa i banorëve. Bazuar në regjistrimin e fundit, janë 1 milion e 739 mijë banorë, ndërsa, votues janë 1 milion e 890 mijë votues.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, të drejtë vote në Kosovë kanë 1.890.952. E sipas regjistrimeve të banorëve që janë kryer në vitin 2011, Kosova ka 1.739.825 banorë, pa përfshirë banorët e komunave serbe.

Në gjashtë palë zgjedhje lokale të mbajtura që nga paslufta, por jo vetëm në to, problem kanë qenë gjithmonë listat e mbingarkuara të votuesve.

Albert Krasniqi nga Institutit Demokratik i Kosovës tregon për Gazetën Express se fakti që regjistrimet e popullsisë nuk kanë përfshirë kosovarët që jetojnë jashtë vendit.

“Regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë kosovarët që jetojnë jashtë Kosovës”, thotë Krasniqi.

Një prej arsyeve që numri i votuesve me numrin banorëve nuk përkojnë, është edhe mosregjistrimi i banorëve të komunave me shumicë serbe. 

Në shifrën që ka dalë nga matjet e popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 1.739.825, por në të nuk janë përfshirë banorët e komunës së Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanin dhe pjesa veriore e Mitrovicës.

Sot kur po mbahen zgjedhjet lokale, komunat e banuar me minoritete, deri më tani, patën pjesëmarrjen më të madhe në zgjedhje.

Një tjetër arsye që Krasniqi përmend padyshim që janë edhe listat e papastruara, ku vazhdojnë të figurojnë emrat e të vdekurve.

Edhe pse në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit nga listat e votimeve ishin hequr 55 mijë emra, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kishte treguar se për këto zgjedhje Komisioni Zgjedhor nuk do të mundë të pastrojë edhe më tej listat.