Shpërthen deputetja Haxhiu: Deklarata e shefit të misionit të OSBE-së skandaloze

Aktuale October 21, 2017 - 13:06

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklaratës  se shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, i cili gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka thënë se në veri mund të votohet me letërnjoftime të Serbisë.

“Deklarimet e ambasadorit të OSBE-së, se në veriun e vendit tonë mund të votohet me dokumente të Serbisë janë të papranueshme dhe skandaloze. Së pari është i papranueshëm fakti se si veriu gjithnjë shihet ndaras pjesës tjetër të vendit dhe së dyti deklarata se mund të votohet me dokumente të Serbisë, është qëndrim në kundërshtim me rendin juridik e kushtetues”, ka thënë Haxhiu.

Ajo u ka bërë thirrje Institucioneve të Kosovës, zyrtarëve të përfshirë në administrimin e zgjedhjeve dhe policisë e prokurorisë që të tregohen vigjilentë dhe të qëndrojnë në mbrojtje të rendit kushtetues dhe të sovranitetit, sikurse edhe të procesit zgjedhor në tërë territorin e vendit.