Pacolli kërkon zëvendësimin e Enver Hasanit në Komisionin e Venedikut

Aktuale October 20, 2017 - 19:05

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradianaj, shqyrtimin e nisjes së procedurave ligjore për zëvendësimin e Enver Hasanit, nga Komisioni i Venedikut, ku ai përfaqëson Republikën e Kosovës si ekspert profesionist dhe i pavarur, i emëruar nga viti 2014.

Kjo kërkesë e Pacollit ka ardhur pas Aktgjykimit të shpallur nga Gjykata Themelore e Prishtinës kundër ish-Rektorit të Universitetit të Prishtinës, ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili u dënua me një vit burgim me kusht për veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, njofton Klan Kosova.

“Pacolli konsideron se mbajtja akoma në këtë rol përfaqësues me profil të lartë të një individi me këtë rekord njollosës dënimi cënon rëndë imazhin e Kosovës, pasi që supozohet se institucioni prestigjioz ndërkombëtar, ku ai na përfaqëson, është informuar për dënimin e, z. Enver Hasanit, nga drejtësia vendore. Në këto kushte, ai vetë do duhet të japë dorëheqjen”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Aty thuhet poashtu se “Pacolli mendon se riparimi më i mirë për imazhin e Kosovës do të ishte zëvendësimi i z. Hasanit me një personalitet akademik të profilit më të lartë të mundshëm, në konsultim me qarqet universitare dhe profesionale të së drejtës”.