Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së mban panel diskutimi për arsimin e lartë

Aktuale October 20, 2017 - 17:27

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë ka organizuar panelin e diskutimit me temë “Arsimi i lartë në Kosovë: sfidat kryesore dhe rruga përpara”, si pjesë e fushatës mujore për arsimin.

Riccardo Serri, Udhëheqësi i Sektorit të Politikave, Ekonomisë dhe Integrimit në BE, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, diskutoi si pjesëtar i panelit rreth dy përparësive kryesore të synimit të BE-së në për ndihmesën ndaj sistemit arsimor në Kosovë.

Sipas tij, ligji i ri i arsimit dhe rritja e investimeve në sektorin e inovacionit dhe hulumtimit duhet të kenë ndikim të madh në përmirësimin e të gjithë sistemit.

Rron Gjinovci, drejtor i ORCA-së, foli kryesisht për avancimin akademik, duke e konsideruar pjesën më të rëndësishme të sistemit të arsimit të lartë.

“Përmes mësimdhënësve të mirë dhe të përgatitur mund të kontribuojmë në zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera në sistem”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

Debati vazhdoi me prezantimin e Prorektorit të Hulumtimit Shkencor në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, i cili ngriti shqetësimin për buxhetin dhe investimet e përgjithshme në sektorin e inovacionit dhe hulumtimit.

Arben Dermaku, këshilltar i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – kontribuoi në debat duke paraqitur perspektivën e Ministrisë mbi sfidat e arsimit të lartë.

Dermaku e konsideroi të rëndësishëm sistemin e universitetit, por sipas tij sistemi parauniversitar është vendimtar në kapërcimin e sfidave në arsimin e lartë.

Diskutimi u pasua nga një debat interaktiv me publikun derisa kjo ngjarje ishte pjesë e një serie aktivitetesh për arsimin e organizuar nga EUICC gjatë muajit tetor