BE, donatori më i madh për Kosovën

Aktuale October 20, 2017 - 16:21

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, prezantoi raportin vjetor të donatorëve për vitin 2016, i cili kap shumën e përgjithshme të asistencës prej 174 milionë euro.

Të dhënat tregojnë se sektori që ka pranuar më shumë ndihmë në aspektin e fondeve të disbursuara është qeverisja dhe shoqëria civile me mbi 57 milionë euro. Sektorët tjerë që kanë pranuar asistencë të konsiderueshme përfshijnë ujin dhe kanalizimin me 24 milionë, arsimi 17.6 milionë, infrastruktura dhe shërbimet tjera sociale 10 milionë dhe biznes dhe shërbime tjera me 9.5 milionë.

Donatori më i madh vazhdon të jetë Bashkimi Evropian, i cili raportohet të ketë kontribuar rreth 61 milionë euro gjatë periudhës raportuese, pasuar nga SHBA me 33.6 milionë, ndërsa në vendin e tretë radhitet Gjermania me rreth 19 milionë euro.

Po ashtu, përkrahja financiare është bërë edhe në komuna, fondet e përgjithshme të alokuara për 38 komunat e Kosovës ka arritur shumën 52.7 milionë euro.