Haradinaj: T’ia zbardhim fytyrën Kosovës me zgjedhje të mira dhe fer

Aktuale October 20, 2017 - 16:06

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka falënderuar partitë politike, për korrektësinë e treguar gjatë fushatës parazgjedhore, për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.


Ai në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës kërkoi nga qytetarët dhe partitë politike që t’ia zbardhin fytyrën vendit me zgjedhje të lira dhe fer.

“Dua t’i falënderoj të gjitha partitë politike për një korrektësi në fushatë, për një kujdes. Ka pasur ndonjë ta quajmë ashtu incident. Por megjithatë mendojmë që procesi ka shkuar në rregull.

I lusim besoj në emër të gjithë secilit këtu, partitë politike, gjithë akterët pjesëmarrës në zgjedhje, mekanizmat e rendit dhe të ligjit, KQZ-në, KKZ-në dhe qytetarët që t’ia zbardhin fytyrën Kosovës me zgjedhje sa më të mira, me zgjedhje fer. Të votojmë lirshëm.

Mos të harrojmë se dhe nga kualiteti i zgjedhjeve varet shpejtësia me të cilën ne arrijmë te liberalizimi i vizave, perspektiva evropiane dhe krejt proceset para nesh. I uroj Kosovës fat në këto zgjedhje komunale”, tha ai.