Thaçi takohet me shefin e misionit vëzhgues të BE-së, flasin për zgjedhjet

Aktuale October 20, 2017 - 14:28

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, priti sot shefin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Alojz Peterle, me të cilin bisedoi për përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë këtë të diel.

Kreu i shtetit falënderoi për gatishmërinë e BE-së për të monitoruar zgjedhjet lokale, për të cilat Presidenti është shprehur i bindur se do të zhvillohen në një frymë demokratike.

“Kosova tashmë ka dëshmuar se dinë të organizojë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, të pranuara nga të gjitha partitë politike dhe bashkësia ndërkombëtare. Këtë traditë do ta dëshmojnë sërish të dielën”, ka theksuar Presidenti.

Nga ana tjetër, Peterle ka theksuar se vëzhguesit e BE-së do të jenë të shpërndarë në të gjithë Kosovën, për të monitoruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.

Numri një i Kosovës iu ka dhënë mbështetje të plotë vëzhguesve të BE-së për punën e tyre në monitorimin e këtyre zgjedhjeve.