Pas dështimit të parë, sot pritet dekretimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve serbë

Aktuale October 20, 2017 - 08:10

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar për sot ose më së largu për të hënën e ardhshme dekretimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë të veriut pas dështimit për t’u dekretuar në fillim të kësaj jave, shkruan sot, gazeta Zeri.

Presidenti Hashim Thaçi në fillim të kësaj jave ua pati dërguar ftesën gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë për t’u betuar para tij, por këta të fundit nuk u paraqiten, me ç’rast i pari i shtetit të Kosovës akuzoi BE-në dhe Serbinë për moszbatim të Marrëveshjes së Gjyqësorit, të arritur gjatë bisedimeve në Bruksel.

“Disa vonohen në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe katër vjet e gjashtë muaj, nga prilli i 2013-s në qoftë se unë nuk gabohem. Dhe nuk u bie ndërmend që ta bëjnë atë dhe kanë mbështetjen e shumë vendeve të botës. Më mirë të mos më tërheqin për gjuhe”, ka thënë Vuçiq.


Edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë gjatë ditës së djeshme se pala serbe sot do të jetë e gatshme të krijojë një gjykatë dhe prokurori të re për shumicën serbe në veri të Kosovës, e cila është vetëm një vonesë prej dy apo tre ditësh në krahasim me datën e caktuar dhe Serbia do të jetë gati për t’i përmbushur plotësisht detyrimet e saj të Marrëveshjes mbi Gjyqësorin.

Në anën tjetër zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë të martën, ditën që dekretimi i gjyqtarëve dështoi, se BE-ja ndien keqardhje për dështimin për të zbatuar Marrëveshjen për Gjyqësorin në Kosovë dhe se BE-ja po pret që të respektojë afatin e përcaktuar të përfshirjes së stafit serb të gjykatave në gjyqësorin e Kosovës.

Ajo me këtë rast ka thënë se Prishtina i ka përmbushur të gjitha obligimet lidhur me zbatimin e Marrëveshjes Gjyqësore. “Është shumë e rëndësishme se integrimi i stafit të ndodhë sepse kjo do të kontribuojë për sundimin e ligjit në Kosovë, përkatësisht në rajonin e Mitrovicës”, ka thënë ajo, duke shtuar se është e domosdoshme që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ajo po ashtu ka pranuar se zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu në Bruksel mbetet një sfidë dhe për këtë po punohet me të dyja palët.

Por këtë dështim presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duket se e ka marrë më seriozisht sepse ai gjatë të mërkurës në një takim me përfaqësuesit e shteteve anëtare të QUINT-it dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ka shprehur për të dytën herë pakënaqësitë e Kosovës për mosdekretimin e kandidatëve serbë për gjyqtarë dhe prokurorë.

Sipas Zyrës së Presidentit, në takim me përfaqësuesit e vendeve të  QUINT-it presidenti Thaçi ka thënë se kjo është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e Bashkimit Evropian. “Në këtë takim presidenti Thaçi ka theksuar se pengimi i kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vijnë për dekretim te presidenti është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi”..

Por Agron Halitaj, kryeredaktor i “AktivPress”-it, Marrëveshjen për Drejtësi mes dy shteteve e sheh si të dështuar qysh moti sepse afatet e zbatimit të kësaj marrëveshjeje nuk janë zbatuar qe disa herë. “Marrëveshja për Drejtësi në të vërtetë ka dështuar qëmoti. Afatet për fillimin e zbatimit të saj janë shkelur disa herë deri më tani.

Autoritetet kosovare kanë bërë kompromise të dhimbshme me këtë marrëveshje duke bërë ndryshime në sistemin juridik e për më keq, duke lejuar që Serbia të përzihet në rregullimin e brendshëm shtetëror. Dhe me gjithë këto lëshime Serbia vazhdon ta mbajë peng këtë marrëveshje, siç i mban peng edhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më sot”, ka thënë Halitaj në një prononcim për “Zërin”.

Ai mendon se me ndërhyrjen e fundit duke mos i lënë gjyqtarët e prokurorët të japin betimin para presidentit të Kosovës Serbia vetëm ka përçuar edhe një herë mesazhin se është faktori kryesor që e përcakton ecurinë e proceseve vendimmarrëse në veri të Kosovës.

Ai është i të njëjtit mendim me presidentin Hashim Thaçi sepse edhe presioni mbi Serbinë është dashur të jetë më i madh, pikërisht nga Bashkimi Evropian. “Presidenti Hashim Thaçi ka të drejtë që e kritikon BE-në për qasjen jo të drejtë në aspektin e garantimit të marrëveshjeve të arritura mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel. Si ndërmjetëse e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve BE-ja është dashur të bëjë presion mbi Serbinë që të luajë rol konstruktiv gjatë procesit të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi”, ka thënë Halitaj.

Sipas tij, ky dështimi i fundit po e argumenton për të satën herë se dialogu nuk është konceptuar siç duhet dhe nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve për aq kohë sa Serbia bën luftë të hapur politike e diplomatike kundër Kosovës.