Fati i grupit 'Kumanova', këto janë shpresat!

Aktuale October 19, 2017 - 21:21

Për 38 persona që janë pjesë e “Grupit të Kumanovës” të cilët akuzohen për terrorizëm pritet të merret vendimin në fillim të muajit nëntor. Naser Raufi, avokat i 12 të akuzuarve ka thënë për "Indeksonline" se nuk është aspak optimist rreth seancave që pritet të mbahen më 2 dhe 3 nëntor, krejt kjo për shkak të siç e quan ai "Prokurorisë së fëlliqur".

Ai ka sqaruar se më 2 nëntor do të jepet vendimi për 37 të akuzuar, ndërsa më 3 nëntor do të mbahet seancë me vetëm një të akuzuar, Sylejman Osmanin. Ky i fundit ishte arrestuar në Kosovë dhe më pas ishte ekstraduar në Maqedoni.

"Do të ketë dy aktgjykime, më 2 nëntor për Grupin me 37 të akuzuar, kurse për Sylejman Osmanit i cili është nda për arsye të ekstradimit nga Kosova, do të mbahet më 3 nëntor. Vendimi do të shpallet. Nuk jemi në këtë raund optimist sepse është ajo Prokuroria e fëlliqur, e vjetra, andaj ne si palë mbrojtëse nuk presim diçka të mirë", ka thënë ai.

Kujtojmë se gjatë qëndrimit në burg të të akuzuarve, ka pasur deklarime nga palët mbrojtëse se ata po keqtrajtohen. Lidhur me këtë, Raufi thotë se situata ka ndryshuar qysh para disa muajve për shkak të reagimeve që kanë arritur deri tek organizatat e mëdha, siç është Amnesty International.

"Unë i kam 12 që i prezantoj, mirë janë tani dhe nuk kanë probleme me gardianë. Situata e dhunës ka qenë deri 4-5 muajve, por është ndërprerë për shkak të reagimeve deri tek Amnisty Internacional, e te ministri i Punëve të Brendshme. Nuk ka më që 4-5 muaj që ankohet dikush. 

Janë ndërpre maltretimet", ka deklaruar ai për "Indeksonline".
Kujtojmë se konflikti i armatosur në Kumanovë kishte ndodhur më 9 maj të vitit 2015. Atje kishin mbetur të vrarë 10 persona të armatosur dhe 8 pjesëtarë të Njësisë Speciale maqedonase./Indeksonline/