Haradinaj ka një lajm të mirë për veteranët

Aktuale October 19, 2017 - 19:50

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur një tubim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahovec.

Me këtë rast, Haradinaj ka konfirmuar se nga java e ardhshme do të nisin pagesat e pensioneve për veteranët dhe kategoritë e tjera të dala nga lufta, sikur iu takon sipas ligjit.

“Veç 50 euro i keni marrë ju në gusht për Bajram. Unë e kam thirrë Ministrinë e Financave, iu kam thënë: 'Ku është problemi?'. Më thanë: 'I kemi do situata, do probleme’. Ju kam thënë: 'Rregullojeni…'. Çdo gjë që parashihet me u bë për këtë vit do të bëhet", ka thënë Haradinaj.

"Nuk mundesh me ju thënë veteranëve kemi me i bë do hetime; këto janë rrena se dojnë me i ndalë për vete do pare”, është shprehur ai, përcjell EO.

“Javën që vjen fillon pagesa e pensioneve”, ka thënë Haradinaj, para ish-bashkëluftëtarëve, në tubimin ku merrte pjesë dhe kandidati për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi.

Ndërsa, me miratimin e buxhetit të vitit 2018, Haradinaj ka premtuar se nuk do të ketë më probleme, e as vonesa.