Përfshirja e SHBA-së në dialog, garanci për zbatimin e marrëveshjeve

Aktuale October 19, 2017 - 08:10

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, disa ditë më parë ishte shprehur se nuk do të ketë bisedime me Serbinë pa përfshirjen e SHBA-së në dialogun që po zhvillohet mes dy vendeve në Bruksel.

Ai madje pati paralajmëruar se nuk do të ulet fare në tavolinë të bisedimeve pa prezencën e SHBA-së, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

“Nuk mund të vazhdojmë dialog nëse nuk është Amerika në tavolinë”, kishte deklaruar Haradinaj. 

Kjo për faktin se përfshirjen e SHBA-së në dialog Haradinaj e ka cilësuar si qenësore për t’i çuar bisedimet përpara.

“Roli amerikan është i nevojshëm për paqen”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se “rolin e Amerikës në tavolinë e shohim si nevojë thelbësore”. “Bisedimet do të duheshin përfunduar me njohje reciproke të shtetësisë mes Kosovës dhe Serbisë”, pati thënë ai.

LEXO EDHE: Diaspora sërish anashkalohet në zgjedhje

Por për përfshirjen e SHBA-së në dialog Zyra e BE-së nuk ka dhënë ndonjë sinjal të qartë se a do të ndodhë një gjë e tillë, apo jo. Ata në deklaratën e tyre të fundit as nuk e mohuan e as nuk e pohuan një gjë të tillë.

“Të dyja palët kanë rënë dakord të fillojnë punën në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.Përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini, ka rikonfirmuar kohët e fundit se dialogu ka hyrë në një fazë të re”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së BE-së, shkruan tutje "Zëri". 

Propozimin e kryeministrit Haradinaj për përfshirjen e SHBA-së në dialog e kishte përkrahur edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili këtë gjë e konsideronte si të domosdoshme.

“Përfshirja direkte e SHBA-së në këtë fazë përfundimtare është e domosdoshme për të siguruar një marrëveshje përfundimtare të pranueshme dhe të zbatueshme për të dyja palët, e cila do të forcojë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, kishte deklaruar Thaçi. 

Në anën tjetër edhe opozita e pozita e vendit kanë këndvështrime të ndryshme për përfshirjen e SHBA-së në dialog, por ata pajtohen në një pikë sepse të dyja palët konsiderojnë se një gjë e tillë vetëm do të ndikonte në përmirësimin e këtij dialogu në të ardhmen.

Haliti: Rruga drejt BE-së, interes i Kosovës dhe i Serbisë 
 
Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, në një prononcim për “Zërin” duke folur për përfshirjen e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se SHBA-ja tashmë është pjesëmarrëse në këtë proces dhe nuk është e lehtë që të bëhen kërkesa në bazë të dëshirave individuale. 

“SHBA-ja po mbikëqyr diskutimin sa i përket dialogut dhe dialogun mes Serbisë e Kosovës është duke e udhëhequr Bashkimi Evropian e duke i pasur parasysh raportet që janë tani në nivel global nuk është e lehtë që të bëjnë kërkesa në bazë të dëshirave tona”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se SHBA-ja po e mbështet publikisht këtë dialog dhe mbetet që edhe Kosova e Serbia të ndërmarrin hapat e duhur në drejtim të Bashkimit Evropian.

“Pres që të dyja vendet të jenë të vetëdijshme pasi politikat e të dyja shteteve janë drejt BE-së dhe sa më shpejt që të arrihet një marrëveshje, e cila ia mundëson të dyja palëve të përafrohen me BE-në, është në interes të të dy popujve”, ka thënë Haliti. 

Kurteshi: SHBA-ja, mik strategjik i Kosovës 
 
Në anën tjetër edhe deputeti nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, pjesëmarrjen e SHBA-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si ndërmjetësues e sheh si të rëndësishëm, por i cili nuk mund të ndikojë shumë nëse Kosova nuk trajtohet si shtet i pavarur.

“Mik strategjik i Kosovës është SHBA-ja dhe pjesëmarrja e saj është shumë e rëndësishme, por sipas mendimit tim është shumë më me rëndësi se çka bisedohet atje dhe në çfarë cilësie Kosova prezantohet”, ka thënë ai për “Zërin”

Ai më tutje ka thënë se nëse Serbia vazhdon të na trajtojë në formë të njëjtë si në bisedat e kaluara, atëherë Kosova nuk duhet të marrë pjesë në këtë dialog, pavarësisht se kush janë ndërmjetësuesit e këtij dialogu. 

“Nëse Serbia edhe më tutje na trajton si pjesë të veten në një trajtim kështu të padrejtë mendoj që nuk do të duhej të shkohet pavarësisht nga ata që janë ndërmjetësues apo vetëm prezentë në bisedime. Kështu që është shumë me rëndësi formati i bisedimeve, natyrisht edhe i ndërmjetësuesit por ndërmjetësuesit nuk mund të ndikojnë shumë nëse ne pranojmë për të biseduar me Serbinë ku Kosova nuk do të trajtohej si shtet i pavarur”, ka thënë Kurteshi. 

Sipas tij, nëse nuk bisedohet mes dy shteteve të pavarura e si bazë e dialogut të jetë reciprociteti, atëherë vetëm do të ndodhte thellimi i krizës mes të dyja vendeve që mund të ekspozohet më vonë. 

Ismajli: Pjesëmarrja e SHBA-së në dialog, presion kundrejt Serbisë 
 
Ndërkohë njohësit e çështjeve politike të vendit këtë gjë e shohin si indikator që Kosova nuk është e sigurt të veprojë vetëm dhe përkrahja e SHBA-së i bën ata të ndihen më të sigurt, por pavarësisht kësaj ata konsiderojnë që një gjë e tillë është pozitive e do të mundë të shërbente edhe si presion më i madh mbi Serbinë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash. 

Dashnim Ismajli, njohës i çështjeve politike, deklaratën e kryeministrit Haradinaj e konsideron akt që e bën të dukshëm nivelin jo të lartë të diplomacisë.

“Mendoj se deklarata e z. Haradinajt vë në pah nivelin e ulët të diplomacisë dhe shtetin e brishtë të Kosovës për të dialoguar me shtetin serb. Mendoj se kjo qasje në rend të parë tregon paaftësinë e politikës kosovare për të bërë politikë në ndërtimin dhe në forcimin e shtetit të saj”, ka thënë Ismajli. 

Ai ftesën që kryeministri Ramush Haradinaj ia bëri SHBA-së për të qenë pjesë e dialogut nuk e sheh si negative, por kjo tregon paaftësinë e Kosovës për t’i realizuar qëllimet e veta. 

“Mendoj se ftesa e amerikanëve nga z. Haradinaj për të qenë pjesë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk është e dëmshme dhe përderisa ne po tregohemi të paaftë për t’i realizuar qëllimet e tona, forcimin dhe avancimin e perspektivës së shtetit nuk na mbetet tjetër pos të inkuadrojmë edhe diplomacinë amerikane për t’i ndihmuar proceset që kemi neglizhuar dhe fajtor për këtë neglizhencë konsideroj se jemi vetë ne”, ka thënë Ismajli. 

Inkuadrimin e SHBA-së në dialogun me Serbinë ai e sheh si indikator që do të shërbejë edhe si presion më i madh mbi Serbinë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe kjo gjë do të jepte rezultate të frytshme dhe më të shpejta në përmbylljen e konfliktit dhe në arritjen e një marrëveshjeje pajtimi të përhershëm ndërmjet dy vendeve. 
 
Murati: Përfshirja e SHBA-së në dialog, pozitive 
 
Artan Murati, njohës i çështjeve politike, mendon se përfshirja e SHBA-së në dialog është pozitive dhe se Kosova parimisht do të duhej ta përkrahte një gjë të tillë.

“Nëse SHBA-ja do të përfshihej në dialog në parim do të përbente një lajm të mirë, edhe pse SHBA-ja e ka dhënë përkrahjen e saj po nëse kjo përfshirje do të formalizohej edhe në një përfshirje të tillë shteti i Kosovës nuk do të duhej të kishte asgjë kundër sepse e dimë sa ka qenë e frytshme përkrahja e tyre”, ka thënë Murati.

Por pavarësisht kësaj ai mendon se një gjë e tillë nuk do t’i pëlqente Serbisë dhe për një gjë të tillë do të duhej të merrej mendimi i tyre. Kërkesën e kryeministrit Haradinaj ai e sheh si një kusht, i cili në këtë fazë nuk do të duhej të ndodhte sepse kjo gjë do të duhej të bëhej në fillim të marrëveshjes mes të dyja shteteve. 
 
E analisti Imer Mushkolaj pjesëmarrjen e SHBA-së në dialog e sheh si garanci për zbatimin e marrëveshjeve, por një gjë e tillë, sipas tij, do të mundë të ndikonte që edhe Serbia të kërkojë përfshirjen e Rusisë.

“Përfshirja e SHBA-së në dialog është një garanci se marrëveshjet e arritura do të zbatohen. SHBA-ja ka investuar shumë në shtetndërtimin e Kosovës dhe në një fazë të caktuar do të përfshihet në dialog. Por, kjo do të mundë të ndikonte që edhe Serbia të kërkojë përfshirjen e Rusisë. Mund të ndodhë që faza e ardhshme e dialogut të bëhet edhe me përfshirjen e SHBA-së dhe të Rusisë”, ka thënë Mushkolaj.