Presidenti bëhet 'pjesë' e fushatës

Aktuale October 18, 2017 - 07:10
Presidenti Hashim Thaçi para tri ditësh ka takuar kandidatin për kryetar të Komunës së Klinës nga ish-subjekti të cilin e kishte drejtuar para se të vinte në krye të shtetit, PDK-ja. Përfaqësuesit e opozitës kanë reaguar lidhur me këtë çështje, duke konsideruar se një gjë e tillë është krejtësisht antikushtetuese. Ndërsa analistët politikë thonë se Thaçi po sillet si president partiak e jo si president i të gjithë qytetarëve,transmeton zeri.info.

Ndonëse sipas Kushtetutës duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pak para zgjedhjeve të 22 tetorit po vazhdon të takohet me kandidatë të caktuar për kryetarë komunash.

Vetëm para tre ditësh presidenti Thaçi ka takuar kandidatin për kryetar të Komunës së Klinës nga ish-subjekti të cilin e kishte drejtuar para se të vinte në krye të shtetit, PDK-ja.

Përfaqësuesit e opozitës kanë reaguar lidhur me këtë çështje, duke konsideruar se një gjë e tillë është krejtësisht antikushtetuese. Ata madje kanë paralajmëruar se pas mbledhjes së fakteve mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese lidhur me veprimet e fundit të Thaçit.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike thonë se presidenti nuk ka përfaqësuar asnjëherë unitetin e popullit. Përkundrazi, sipas tyre, ai po përkrah kandidatët e ish-partisë që drejtonte dikur e që, siç shprehen ata, i pari i shtetit më shumë po sillet si president partiak sesa si president i të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Bashota: Pata nderin të takohem me mikun tim, presidentin Thaçi

Para pak ditësh kandidati i PDK-së për kryetar të Klinës, Sokol Bashota, ka publikuar disa fotografi në profilin e tij teksa shihet me presidentin Thaçi, me ç’rast edhe ka bërë të ditur se është takuar me ish-liderin e partisë nga e cila vjen edhe ai.

“Sonte në Klinë pata nderin të takohem me mikun tim, presidentin e Kosovës Hashim Thaçin”, ka shkruar Bashota sipër fotografive.

Ditë më parë lidhur me këto takime ka reaguar edhe LDK-ja në komunën e Vushtrrisë, me ç’rast ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me një vizitë të tillë të Thaçit në këtë komunë.  

“Shtabi i Degës së LDK-së në Vushtrri shpreh shqetësim të thellë në lidhje me takimet e presidentit Hashim Thaçi me kandidatin për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK-së, së z. Ferit Idrizi dhe kryetarin e Degës së PDK-së në Vushtrri, z. Kurtan Kajtazi, gjatë një vizite në këtë qytet”, thuhet në reagimin e LDK-së, të publikuar nga kandidati për kryetar të kësaj komune nga LDK-ja, Xhafer Tahiri.

Pantina: Presidenti sërish po e shkel Kushtetutën

Nga ana tjetër deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, ka konsideruar se presidenti i Kosovës është duke e shkelur Kushtetutën me veprime të tilla.

“Presidenti sërish po e shkel Kushtetutën. Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit dhe ai e ka të ndaluar të anojë kah një subjekt politik e në veçanti ta përkrahë një kandidat apo një tjetër gjatë fushatës zgjedhore”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Duke komentuar takimin mes Thaçit dhe kandidatit të PDK-së për kryetar në Komunën e Klinës, Sokol Bashota, Pantina ka thënë se nga një president i tillë nuk mund të pritet asgjë.

“Vizita e Thaçit në Klinë në përkrahje të kandidatit të PDK-së për kryetar është shkelje e Kushtetutës. Çfarë mund pritet tjetër nga një president kundërkushtetues, por deri kur qytetarët do të durojnë të udhëhiqen nga njerëz të tillë varet nga vetë ata”, ka shtuar ajo.

Gecaj: Duhet të mblidhen faktet mbi këto shkelje e pastaj t’i drejtohemi gjykatës

Kurse Bajram Gecaj nga LDK-ja, duke folur rreth takimeve të Thaçit me kandidatët për kryetarë komunash, ka thënë se do të analizohen faktet në mënyrë që shkeljen kushtetuese të presidentit ta dërgojnë në gjykatë.

“Fillimisht duhet të mblidhen faktet mbi këto shkelje e pastaj t’i drejtohemi gjykatës. Ne besojmë se presidenti definitivisht ka bërë shkelje kushtetuese, por tani mbetet që kjo të faktohet, në mënyrë që gjyqtarët ta marrin vendimin e merituar”, është shprehur ai.

Sipas tij, i pari i shtetit asnjëherë nuk ka përfaqësuar unitetin e popullit.

“Thaçi duket se asnjëherë nuk ka qenë i interesuar të përfaqësojë unitet, pasi që besoj se aspiron t’i kthehet PDK-së, pasi kjo të jetë dërrmuar nga Kadri Veseli”, ka potencuar Gecaj.

Ndërkaq analisti politik Imer Mushkolaj ka konsideruar se presidenti i Kosovës po tregohet president partiak, duke mbështetur kandidatët e caktuar të ish-subjektit që ka drejtuar, PDK-së.

“Presidenti nuk është duke e përfaqësuar unitetin e popullit, ngase po përkrah kandidatë të një subjekti të caktuar, në këtë rast të ish-partisë së tij. Në këtë mënyrë Thaçi po tregohet kundërkushtetues dhe vetëm sa po i përligj kritikat se më shumë po sillet si president partiak sesa si president i të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Mushkolaj.

Ismaili: Thaçi s’do të duhej të përfshihej në asnjë aktivitet politik

Kurse Valmir Ismaili nga organizata “Demokracia Plus” ka thënë se nuk është hera e parë që presidenti Thaçi takohet me persona të partisë që ka drejtuar gjatë fushatave.

“Me Kushtetutë presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit të Kosovës, prandaj si i tillë presidenti nuk do të duhej të përfshihej në çfarëdo aktiviteti të cilitdo subjekt politik të vendit. Megjithatë, nuk është hera e parë që presidenti Thaçi shihet në kohë fushatash duke u shoqëruar me njerëz të ‘ish’-subjektit të tij politik, PDK-së”, ka deklaruar ai.

Sipas Ismailit, veprimet e tilla të presidentit janë në kundërshtim të plotë me rolin që ia përcakton Kushtetuta e Kosovës.

“Këto takime janë munduar që të kamuflohen me gjoja takime me punonjës të arsimit apo sektorëve të tjerë publikë, por në thelb ato kanë qenë takime me struktura dhe simpatizantë të PDK-së. Sjellje të tilla dhe të përsëritura të z. Thaçit janë në kundërshtim me rolin e tij që ia përcakton Kushtetuta e vendit dhe nuk do të duhej të ndodhnin. Duke vazhduar me sjellje të tilla ai e zbeh edhe më shumë rolin e unifikuesit të vendit, rol që ashtu-kështu e ka pasur të kontestuar që nga fillimi i mandatit të tij”, ka theksuar Ismaili gjatë një bisede për “Zërin”.