Ministri i Shëndetësisë në QKUK pas epidemisë së fruthit, ky është apeli i tij

Aktuale October 17, 2017 - 18:47

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka vizituar sot Klinikën Infektive në QKUK, pas shpërthimit të rasteve me fruth, raporton Ekonomia Online.

Kreu i MSh-së vizitoi pacientët e shtrirë, së bashku me drejtorin e Klinikës, Hamdi Ramadani. Me këtë rast, ai tha se Ministria e Shëndetësisë është duke mbështetur këtë repart dhe se nga ajo që pa, situata është nën kontroll.

Nga fillimi i epidemisë janë shënuar dy raste të vdekjeve. Por, drejtori Ramadani tha se nuk ka vend për panik.

Nga ana e tij, ministri Ismaili bëri apel te të gjithë qytetarët që të vaksinohen me kohë dhe në këtë mënyrë të shmangin komplikimet shëndetësore.

“Unë sot vizitova Klinikën Infektive, së bashku me personelin, i cili është duke bërë çmos që t’iu përgjigjet nevojave të qytetarëve, si dhe për të treguar se jemi afër qytetarëve. U njoftova se barnat të cilat janë siguruar para dy ditësh nga MSh-ja janë ende në dispozicion. Menaxhmenti i QKUK-së dhe ShSKUK-së do të kenë edhe një kërkesë për Ministrinë e Shëndetësisë që t’iu sjellim prapë barna në rast nevoje dhe ne jemi prapë të gatshëm të bëjmë një gjë të tillë”, tha Ismaili.

“Ju ofruam mbështetje çfarëdo që kanë nevojë, në mënyrë që të përballemi me këtë situatë dhe me këtë gjendje të cilën e kemi. Kemi mjaft pacientë të cilët janë liruar, por kemi pacientë të cilët janë duke u pranuar. Do të mundohemi që me të gjitha kapacitete tona ta përballojmë këtë situatë”.

“Apeloj që fëmijët të vaksinohen, që njerëzit të marrin imunizimin e duhur, në mënyrë që të parandalojnë këto raste dhe të mos na shtohen, në mënyrë që të mos përballemi me situata të vështira”.

“Nga ajo që u njoftova, shumica e njerëzve që janë në gjendje të rëndë, janë për shkak se nuk janë vaksinuar. Është një sinjal shumë i qartë për të gjithë popullatën tonë se duhet vaksinuar, të vaksinojmë fëmijët tanë, në mënyrë që të parandalojnë çfarëdo situate të keqe”.

Drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani, bëri të ditur se aktualisht në këtë klinikë janë të shtrirë 68 pacientë me fruth. “Deri më sot janë liruar nga spitali 85 raste me fruth, në gjendje të mirë shëndetësore… Brenda dy-tri ditëve, besoj që shumica e këtyre që janë të shtuar do të lëshohen në shtëpi”, tha Ramadani.

“Jemi maksimalisht të përkushtuar që t’iu ndihmojmë sa më shumë të sëmurëve tanë në këtë situatë pak të rënduar. Mirë qëndrojmë për momentin me medikamente dhe barnat e nevojshme”.

Ata të cilët janë të infektuar i takojnë kryesisht moshës së mitur dhe fëmijëve parashkollorë. “Është e vërtetë që vaksinimi ka qenë i dobët, të gjitha këto raste kanë qenë të pavaksinuara, të paimunizuara”, tha ai.

Ramadani kishte një apel për opinion. “Nuk ka nevojë për panik. E kemi Ministrinë, i kemi institucionet dhe ato çka është më e rëndësishme punktet shëndetësore”, u shpreh ai.

Basri Sejdiu, ushtrues detyre i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), falenderoi për përkrahje Ministrinë e Shëndetësisë. “Brenda ditës është reaguar me mjete me buxhet kur dihet se është fundi i vitit dhe ka mangësi të mëdha buxhetore. Kur reagohet brenda ditës është një sinjal mjaft i mirë që do të shkojmë shumë shpejt përpara”.

Ai tha se është momenti i fundit që shëndetësia kosovare të rimëkëmbet.

Ismaili inspekton situatën pas epidemisë së fruthit, apelon për vaksinim from Ekonomia Online on Vimeo.