Përfundojnë gërmimet në Suhadoll, këto janë rezultatet

Aktuale October 17, 2017 - 18:43

Në Suhodoll të Mitrovicës gërmimet për mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.

Kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj gjatë një prononcimi për Indeksonline ka dhënë detaje në lidhje me gërmimet, të cilat kanë përfunduar sot në ditën e pestë të punës.

Sipas Gjetaj, brenda këtyre ditëve është punuar dhe është vlerësuar e gjithë zona dhe tanimë edhe janë mbyllur punimet.

Përveç një trupi komplet të gjetur me veshmbathje dhe disa pjesë të mbetjeve tjera mortore të gjetura ditë më parë, gjatë gërmimeve në dy ditët e fundit nuk është arritur të gjendet ndonjë gjë tjetër.

“Është punuar edhe dje dhe sot, ka qenë dita e pestë sot dhe ka përfunduar tashmë punimet dhe nuk ka më gjetje. Është vlerësuar e tërë hapësira dhe është mbyllur. Nuk ka pasur më gjetje përveç të enjten kur është gjetur një trup komplet me veshmbathje, që dyshohet se është varrosur në luftën e fundit. Gjithashtu janë gjetur edhe disa mbetje të tjera mortore”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbetjet mortore që janë gjetur nuk mund të dihet nëse janë të trupave të gjetur më parë apo jo, për këtë mbetet të bëhet ekzaminimi.

“Nuk mund të dihet nëse janë të trupave të gjetur më parë apo janë raste të reja, vlerësimi do të bëhet pas analizave dhe ekzaminimi do tregojë gjithçka”.