Serwer: Kërkesa e Thaçit për Metën, kërcënim

Aktuale October 17, 2017 - 17:17

Pajisja e qytetarëve të Kosovës me pasaporta të Shqipërisë, ashtu siç i kërkoi ditë më parë presidenti Hashim Thaçi homologut të tij Ilir Meta, do ta zvogëlonte sovranitetin e Kosovës. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” analisti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, duke shtuar se pavarësisht një kërkese të tillë Shqipëria nuk do t’u japë pasaporta kosovarëve, siç thotë ai, nga frika e kthimit mbrapa të perspektivës së vet për në Bashkimin Evropian.

Ai ka shtuar se kërkesa e presidentit Thaçi drejtuar homologut të tij Ilir Meta është një kërcënim, jo një propozim serioz.

Zëri: Presidenti Thaçi ditë më parë shprehu zhgënjimin ndaj BE-së, prandaj i kërkoi presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, që t’i pajisë me pasaporta të Shqipërisë qytetarët e Kosovës, pasi që, sipas tij, kriteri i BE-së për Kosovën është i padrejtë. Si e vlerësoni një veprim të tillë të presidentit Thaçi?

Serwer: Nuk më pëlqen kjo. Një veprim i tillë do të zvogëlonte sovranitetin e Kosovës dhe nuk do ta përmirësonte atë.

Zëri: A mund ta fitojnë kosovarët lirinë e lëvizjes drejt BE-së nëpërmjet një shteti tjetër apo ky ishte vetëm një kërcënim i të parit të shtetit të Kosovës për BE-në?

Serwer: Unë e marr atë si një kërcënim, jo një propozim serioz. Shqipëria nuk do ta bëjë këtë nga frika e kthimit mbrapa të perspektivave të veta për në BE.