Serwer: Më i rëndësishëm liberalizimi se çështja territoriale

Aktuale October 17, 2017 - 15:26

Pajisja e qytetarëve të Kosovës me pasaporta të Shqipërisë, ashtu siç i kërkoi ditë më parë presidenti Hashim Thaçi homologut të tij Ilir Meta, do ta zvogëlonte sovranitetin e Kosovës. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” analisti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, duke shtuar se pavarësisht një kërkese të tillë Shqipëria nuk do t’u japë pasaporta kosovarëve, siç thotë ai, nga frika e kthimit mbrapa të perspektivës së vet për në Bashkimin Evropian.

Serwer gjatë kësaj interviste po ashtu ka folur edhe për kritikat e Thaçit ndaj ndërkombëtarëve për Gjykatën Speciale. Sipas tij, nëse UÇK-ja dëshiron të mbahet mend për të mirë mbështetësit e saj nuk duhet t’i mbrojnë abuzimet e të drejtave të njeriut të kryera nga anëtarët e saj.

I pyetur se a do të detyrohet ta njohë Serbia pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit për në BE, Serwer ka thënë se njohja duhet të ndodhë edhe më shpejt.
“Ajo nuk duhet të jetë njohje dypalëshe, por në vend të kësaj mund të vijë në formën e anëtarësimit në OKB dhe shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë të nivelit të ambasadorëve”, ka thënë mes tjerash Serwer gjatë intervistës për “Zërin”.

Më i rëndësishëm liberalizimi se çështja territoriale

Zëri: Kryeministri Haradinaj pati premtuar se pas 100 ditëve të Qeverisë së re nën udhëheqjen e tij Kosovës do t’i hiqen vizat me BE-në, por si duket situata është më e komplikuar. Qeveria e Kosovës ka emëruar një Komision të ri për Demarkacionin derisa Mali i Zi e konsideron këtë çështje të kryer. Si të gjendet një zgjidhje e kënaqshme për të dyja palët?

Serwer: Dyshoj se ka një opsion që do t'i kënaqë të dyja palët, por gjithashtu nuk mendoj se dikush do ta mbajë mend këtë mosmarrëveshje një vit pasi ajo të zgjidhet. Për mua gjëja e rëndësishme është liberalizimi i vizave, jo çështja territoriale.

Zëri: Demarkacioni vështirë së do të mundë të kalojë në Kuvend pasi që koalicioni qeverisës nuk i ka 2/3 e votave. A po mbeten të izoluar qytetarët e Kosovës për shkak të klasës së papërgjegjshme politike?

Serwer: Ju jeni në një pozitë më të mirë për të bërë këtë vlerësim sesa unë.

Zëri: Presidenti Thaçi ditë më parë shprehu zhgënjimin ndaj BE-së, prandaj i kërkoi presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, që t’i pajisë me pasaporta të Shqipërisë qytetarët e Kosovës, pasi që, sipas tij, kriteri i BE-së për Kosovën është i padrejtë. Si e vlerësoni një veprim të tillë të presidentit Thaçi?

Serwer: Nuk më pëlqen kjo. Një veprim i tillë do të zvogëlonte sovranitetin e Kosovës dhe nuk do ta përmirësonte atë.