Mosnjohja nga 5 vendet e BE-së, ia pamundëson Kosovës marrjen e statusit të vendit kandidat

Aktuale October 14, 2017 - 19:03

Kosova e ka të pamundur të marr statusin e vendit kandidat për anëtarësinë në Bashkimin Evropian, pa u njohur nga pesë vendet e përhershme anëtare të saj.

Qeveria e Kosovës në programin e saj 4 vjeçar ka paraparë që në vitin 2021 të marr statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE, por sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare një gjë e tillë është e pamundur të ndodh pa njohjen e këtyre pesë vendeve.

Avni Mazreku, profesorë universitar dhe njohës i çështjeve të integrimeve evropiane, ka thënë për lajmi.net, se një shtet për të marr statusin për anëtarësim nevojitet konfirmim i Këshillit të BE, me një votim konsensual.

“Dhënia e statusit të vendit kandidatë për anëtarësim në BE nuk është e mundur të ndodh jo për shkak të mbushjes apo jo të kritereve në këtë rast, por për shkak të mungesës së  njohëses nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian”.

“Statusi i vendit kandidat konfirmohet në Këshillin e Bashkimit Europian. Në këtë rast, ku këto 5 shtete nuk e njohin Kosovën si shtet  të pavarur është e pamundur në aspektin juridik dhe legal t’i jepet statusi i vendit kandidatë Kosovës”, është shprehur Mazrreku për lajmi.net.

Pavarësia e Kosovës e shpallur në shkurt të vitit 2008, përveç Serbisë, vazhdon të mos njohet edhe nga pesë shtetet anëtare të përhershme të BE-së (Spanja, Greqia, Sllovakia, Qipro, Rumania).

Ndërsa, Mazreku ka kërkuar që institucionet e Kosovës duhet të punojnë në arritjen e këtyre njohjeve, pasi sipas tij, pa këto njohje nuk mund të pritet që Kosova të ketë raporte normale me BE-në.

“Qeveria e Kosovës, mekanizmat që kanë të bëjnë me politikën e Jashtme duhet të punojë që të arrijnë njohjen  këtyre pesë shteteve, sepse pa njohjen e tyre Kosova nuk mundet me pretendua asnjëherë që ka raporte normale me BE-në, nuk mundet me pretenduar që ndonjë vendim politikë në strukturat ndërqeveritare të BE-së ku kërkohet sistemi konsensual i votimit mund të ketë vendime politike pozitive për Kosovën”, është shprehur Mazreku.

Qeveria e Kosovës në programin  4 vjeçar prioritet ka edhe agjendën evropiane, duke synuar që brenda këtij mandati të marr edhe statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas këtij  plani Qeveria shprehet e përkushtuar për të përmbushur kriteret e mbetura për liberalizim të vizave dhe zbatimin e MSA-së.

“Ne synojmë marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE deri në vitin 2021. Do të përmbushim kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave dhe do të zbatojmë në tërësi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA)”, thuhet në programin e qeverisë lidhur me agjendën europiane.

Sa i përket agjendës evropiane, Kosova deri më tani ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, e cila është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, ndërsa që ende nuk ka fituar liberalizimin e vizave, për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.