“Me përfshirjen e SHBA-ve në dialog, Kosova do të përfitonte më shumë se Serbia”

Aktuale October 14, 2017 - 18:01

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj para disa ditësh ka deklaruar se dialogu me Serbinë që mbahet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nuk do të vazhdoj pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deri më tani SHBA-të nuk janë deklaruar pro e as kundër kësaj ideje të Haradinajt, të cilën analistët e shohin si të duhur, shkruan Indeksonline.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu ka thënë për Indeksonline se do të ishte në favor të Kosovës nëse SHBA-të pranojnë të përfshihen në dialog.

“Po do të ishte mirë për shkak se amerikanët janë shumë më objektiv dhe më praktik, prandaj nëse ata do të pranonin do të ishte shumë e mirë përfshirja e tyre në dialogun me Serbinë. Me përfshirjen e tyre më shumë do të përfitonte Kosova për shkakun së krijuesi i Kosovës është Amerika, kështu që në një mënyrë është sikur të përfshihej në një dialog baba për fëmijën”, ka thënë Spahiu.

Arben Qirezi, analist i çështjeve politike ka vlerësuar se mund të paramendohen disa skenare të mundshëm se çka do të mund të ndodhte po që se SHBA do të përfshihej drejtpërdrejtë në bisedimet e Kosovës me Serbinë.

“Sidoqoftë SHBA ka shprehur mbështetje për dialogun e ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve, duke i lënë Bashkimit evropian udhëheqjen e këtij procesi. Kërkesa e kryeministrit Haradinaj mendoj se ka të bëjë me mungesën e rezultateve të mira për Kosovën nga ky dialog”, ka thënë Qirezi për Indeksonline.

Sipas tij, se si do të mund të ndikonte SHBA që bisedimet me Serbinë të kenë një rezultat të prekshëm në favor të Kosovës është vështirë të thuhet.

“Kjo pasi Serbia ka kohë që në mënyrë të efektshme është duke përdorur kartën e aleancës me Rusinë për të përfituar favore sa më të mëdha nga perëndimi dhe në këtë mënyrë ka arritur që të mbetet lojtar relevant për stabilitetin në rajon dhe të përfitojë nga kjo edhe politikisht edhe ekonomikisht”, ka përfunduar Qirezi.