RENEA bën gati 'bishat' anti-terror, gati për çdo sfidë

Aktuale October 14, 2017 - 15:44

Sot në ambientet e Repartit Special Renea u zhvillua ceremonia e çertifikimit të Njësisë Operacionale Antiterrorizëm pas përfundimit me sukses të trajnimit bazë të mbijetesës të trupave operacionale.

Ky trajnim u organizua dhe zhvillua nga forcat speciale të repartit RENEA, si forca e vetme që disponon kapacitetet në logjistikë dhe burime njerëzore për të realizuar trajnime të këtij niveli siç është mbijetesa e trupës operacionale.

Ky trajnim vjen pas një sërë trajnimesh të tjera që Njësia Operacionale Antiterrorizëm ka kryer me mbështetjen e partnerëve tanë strategjike për të qenë e aftë profesionalisht dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave të kohës në luftën kundër individëve me rrezikshmëri të lartë apo grupeve terroriste.

Në fund të trajnimit këto forca kanë arritur rezultate të shkëlqyera në përmbushje të këtij programi që është faza më e lartë e përgatitjes të një trupe operacionale.

Me këtë rast Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako vlerësoi nivelin e lartë dhe kapacitetet e plota që ka Reparti Special RENEA në logjistikë e kapacitete njerëzore të mirëtrajnuara si dhe përgëzoi punonjësit e policisë pjesëmarrës në këtë trajnim për nivelin mbresëlënës që kanë arritur në këtë trajnim sa të domosdoshëm aq dhe të vështirë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit inkurajoi dy strukturat elitë në luftë kundër terrorizmit që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

Në këtë ceremoni u bë një demostrim në terren me skenarë arrestimin e personave të rrezikshëm në ambiente publike dhe qitje preçizioni në situatë pengmarrje.

Në përfundim të ceremonisë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u dorëzoi punonjësve të policisë certifikatat për përfundimin me sukses të trajnimit.

Image
Image
Image