Premtime paushall

Aktuale October 14, 2017 - 08:14

Premtime për punësimin e dhjetëra mija qytetarëve gjatë një mandati katërvjeçar në komuna, rritje pensionesh dhe të skemave tjera sociale e shumë premtime të tjera vështirë të realizueshme po japin kandidatët për kryetarë komunash që garojnë në zgjedhjet e 22 tetorit 2017. Për më tepër, realizimi i shumë nga këto premtime nuk është në kompetencë të nivelit lokal, por të atij qendror, shkruan sot, gazeta Zeri.

Besa Luzha, analiste politike, thotë për “Zërin” se kandidatët po rrëmbehen nga ethet elektorale dhe shpesh premtojnë gjëra që nuk janë në kompetencat e tyre.

“Rritja e pensioneve varet nga niveli qendror, por komuna ka kompetenca në ofrimin e shërbimeve sociale më të mira për qytetarët e saj”. Prandaj Luzha ka shtuar se kandidatët, por edhe qytetarët duhet ta dinë saktësisht se çka mund e çka nuk mund të realizohet nga niveli lokal.

E në këtë rast siç thekson dhe Luzha, komuna mund të ofrojë shumë lehtësira për pensionistët si lirimin nga pagesa për shërbime... Ndonëse komuna ka të drejtë të investojë në infrastrukturë shkollore që i jepet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Luzha thotë se problemi është shpesh te buxheti sepse ministritë e linjës i mbajnë investimet kapitale vetëm për vete.

“Në vend se t’ia transferojnë ato komunës për t’i realizuar kompetencat që i kanë, ministritë përdorin mjetet për investim kapital shpesh në mënyrë selektive për të ndikuar tek elektorati i tyre. Por gjithmonë ekziston mundësia për bashkëpunim të komunës me nivelin qendror, mandej të bashkëpunimit ndërkomunal për projekte të përbashkëta, që nuk shfrytëzohen sa duhet si mundësi, sepse ndikimi politik është në rend të parë, para shërbimit ndaj qytetarit”, thotë Luzha.

Ajo thekson se qytetari i mirëinformuar mund të ketë ndikim në përzgjedhjen e kandidatit që më realisht i qaset problemeve.

Premtojnë ndërtimin e shkollave, kanë buxhet vetëm për paga

Kandidatët për kryetarë të komunave nuk hezitojnë të premtojnë ndërtimin e objekteve për çerdhe dhe shkolla, ndërsa buxheti komunal aktual i ndarë për sektorin e arsimit përfshin vetëm mjetet për paga. Premtimi i kandidatëve në fushatë, madje sipas Sindikatës së Bashkuar, të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) jo vetëm që tejkalon kompetencat e nivelit komunal, por tregon dhe mosinformimin e kandidatëve me këtë sektor.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se pretenduesit për kryetarë nëse i kanë caktuar vetes detyrë që të bëhen kryetarë, ata duhet fillimisht të merren me realizimin e çështjeve nga Kontrata Kolektive e të cilat çështje, sipas tij, nuk janë realizuar deri më tani. “Prandaj të flasim për gjëra më të mëdha është vetëm angazhim për pompozitet në fushata zgjedhore. Ata duhet të dalin dhe t’i thonë masës premtimet, por me argumente”, thotë Jasharaj duke bërë të ditur se kështu dhe SBASHK-u nuk do të jetë më i detyruar të dërgojë lëndë nëpër gjykata për të fituar të drejta legjitime të tri pagave suplementare dhe të udhëtimit çështje këto që edhe Ligji mbi Administratën Lokale edhe Ligji mbi Arsimin Parauniversitar, por dhe vetë Kontrata Kolektive i obligon punëdhënësit t’i realizojnë. E në këtë rast, ai thotë se punëdhënësi janë drejtoritë arsimore dhe vetë komuna. “Pra të deklarojnë fjalë të mëdha ata po harrojnë se fushata përfundon dhe ndonjëri prej tyre do të bëhet kryetar dhe se pastaj me gjithë ato premtime po na nxjerrin telashe dhe neve sepse masa po thotë se SBASHK-u duhet të kërkojë pasi ata vetë i kanë premtuar mësimdhënësve se do të realizojnë të drejtat e tyre gjatë fushatave”. Jasharaj thotë se ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, pati bartur të drejtën e ndërtimit të shkollave të nivelit komunal, por kjo ishte më tepër që ata të vendosin sipas nevojave të kohës. “Mirëpo unë nuk besoj që ndonjë komunë mund të ketë buxhet për të ndërtuar shkolla të reja pa i ndihmuar nivelit qendror. Buxheti i dedikuar nga qendra në komuna është vetëm për paga dhe për gjërat elementare siç janë sfungjerë dhe mjetet higjienike që duhen për shkolla”. Jasharaj thotë se kandidatët nuk duhet të premtojnë gjëra të mëdha pa pasur siguri se do t’i mbështetë niveli qendror te ndërtimi i shkollave. “Ata duhet të orientohen dhe të deklarojnë se nëse vijnë kryetarë do duhet të bëjnë pikërisht atë detyrë që kanë, pra të realizojnë në tërësi Kontratën Kolektive”, thotë ai.  

 Projekte pa strategji zhvillimore

Profesori universitar për shkencat politike Dashnim Ismajli ka thënë se kandidatët jo vetëm që kanë mungesë të një vizioni, mirëpo disave u mungojnë edhe njohuritë dhe kualifikimet bazike se si duhet t’i menaxhojnë problemet, si dhe sfidat e komunës që duhet të shërbejnë në interes të qytetarëve. Përderisa në fushatë po dëgjohet si premtim edhe kthimi i perspektivës, zhvillimi ekonomik, Ismajli thotë se nuk mund të shpresohet për një kthim të perspektivës, përderisa kandidatët prezantojnë projekte pa ndjekur një strategji zhvillimore. “Pra nuk ka një strategji zhvillimore se sa të rëndësishme janë ato projekte, sa do kushtojnë dhe sa është kërkesa e nevojshme për projektet në fjalë, do të thotë ndjekjen e një plani të detajuar zhvillimor përmes ‘cost and benefits’. Unë dyshoj se përmes prezantimeve fotografish në debate publike, si për shembull ndërtimin, renovimin e shkollave apo çka do qoftë tjetër, këta kandidatë kanë potencialin e duhur për të ofruar një ndryshim apo perspektiv më të mirë në qeverisjet lokale”.

Ismajli thotë se kandidatët më shumë po japin premtime sipërfaqësore në fushat ku kanë identifikuar deficitet. Kurse, sipas tij, premtimet për projekte të mëdha në mungesë të studimit apo ofrimit të një analize të hollësishme se si ato premtime mund të realizohen nuk jep sinjale të qëndrueshme për të shpresuar në ndryshim të gjendjes aktuale që ngrit standardin jetësor dhe mirëqenien e qytetarit.