Tre ministra dhe trembëdhjetë deputetë garojnë në komuna

Aktuale October 14, 2017 - 07:53

Në garë për zgjedhjet komunale të 22 tetorit janë tre ministra dhe trembëdhjetë deputetë. Madje njëri nga ministrat e Qeverisë garon për ulëse të Asamblesë Komunale. Analistët politikë thonë se kjo qasje e zyrtarëve të lartë të Qeverisë është joserioze sepse, siç thonë ata, ministrat duhet të fokusohen në problemet e dikastereve që i drejtojnë dhe jo ta shpërndajnë energjinë e tyre edhe në nivele lokale, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ndonëse kanë zënë pozitën e ministrave e të deputetëve shumë prej tyre po synojnë që të mbërrijnë në krye të komunave, duke u kandiduar për kryetarë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Madje ka prej atyre që ndonëse janë caktuar ministra po synojnë që ta zënë edhe ulësen e asamblistit në komunat përkatëse.

Shyqyri Bytyçi e Bajram Hasani janë dy prej ministrave (nga Nisma) që po pretendojnë të udhëheqin me komunat. Përderisa Bytyçi drejton Ministrinë e Arsimit dhe në të njëjtën kohë po pretendon ta fitojë Prishtinën, Hasani duke qenë ministër i Tregtisë dhe Industrisë po synon që ta marrë Komunën e Gjilanit.
Pavarësisht që ata kërkojnë postin e kryetarit, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili po pretendon të zgjidhet asamblist në Komunën e Prishtinës.

Pos kësaj janë edhe më shumë se 10 deputetë, të cilët po synojnë të vijnë në krye të komunave, ani pse në zgjedhjet e 11 qershorit kishin marrë besimin e qytetarëve.

Përderisa ata thonë se një gjë të tillë po e bëjnë për të mirën e qytetarëve, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se tërë këto janë vetëm mashtrime të tyre për t’i realizuar interesat individuale e partiake.

Deputetët që synojnë të bëhen kryetarë komunash

Më shumë se 10 deputetë të kësaj legjislature po synojnë të zgjidhen në krye të komunave në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Driton Çaushi (Gjakovë), Faton Topalli (Ferizaj), Sami Kurteshi (Gjilan), Mytaher Haskuka (Prizren), Salih Salihu (Viti), Qëndron Kastrati ( Dardanë) janë gjashtë deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët kanë kandiduar për kryetarë komunash, ani pse janë zgjedhur deputetë në këtë legjislaturë. Kurse Agim Aliu (Ferizaj) dhe Zenun Pajaziti (Gjilan) janë dy prej deputetëve të PDK-së që do ta sfidojnë veten në garën e zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash.

Ndërkaq nga LDK-ja është vetëm deputeti Arban Abrashi ai i cili është emëruar për kandidat për kryetar (Prishtinë). E përderisa deputeti Gani Dreshaj nga AAK-ja po tenton ta marrë komunën e Burimit, Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën pretendon ta marrë komunën e Prizrenit. Pos këtyre, edhe deputetja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila është njëra nga deputetet që ka ambicie ta rimarrë Gjakovën. Pos këtyre, edhe deputetja e pavarur nga radhët e komunitetit boshnjak Emilia Rexhepi është njëra prej kandidateve për kryetare (në Komunën e Prizrenit).

Aliu: Kam kandiduar për kryetar komune pasi ka qenë kërkesë e qytetarëve

Agim Aliu, deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajt, ka thënë se ka vendosur të hyjë në garën për zgjedhjet lokale meqë ashtu i është kërkuar nga qytetarët e shumtë të komunës që përfaqëson.

“Kam kandiduar për kryetar të Komunës pasi ka qenë kërkesë e shumë qytetarëve të komunës së Ferizajt dhe unë jam kandidati me unitetin politik dhe unitetin qytetar më të madh në Ferizaj, për faktin që kam qenë kandidat shumë i votuar në komunën e Ferizajt dhe nuk kam mundur të jem indiferent për shkak se janë të zhgënjyer me qeverisjen aktuale në Ferizaj. Kanë ndërtuar një shpresë se Agim Aliu është ai që do ta ndryshojë Ferizajn”, ka deklaruar ai. Ndërkohë i pyetur se pse atëherë është përfshirë në listën zgjedhore për deputetë, ai ka thënë se këto kanë qenë vendime politike. “Unë mendoj që këto janë vendime politike”, duke u shprehur i sigurt për fitoren e zgjedhjeve të 22 tetorit.

“Pres fitore sepse jam kandidati me fuqinë më të madhe të dëshmuar, jam kandidati më i votuar dhe pres që kjo të dëshmohet edhe në zgjedhjet e 22 tetorit”, ka theksuar Aliu gjatë një bisede për “Zërin”.

Berisha: Kam kandiduar që t’i ndihmoj partisë

Ndërkaq Zafir Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Nisma për Kosovën, njëherësh kandidat për kryetar të Prizrenit, ka thënë se arsyeja pse ka vendosur të hyjë në garën zgjedhore, ani pse është deputet, ka të bëjë me qëllimin që të jetë sa më afër qytetarëve.

“Unë jam bërë deputet për legjislaturën e tretë në Kuvend dhe po mendoj që rikthimi im në krye të Prizrenit ka të bëjë më shumë me mundësinë për të qenë më afër qytetarëve nga pozicioni i kryetarit të Komunës. Jam i vetëdijshëm që Kuvendi është organi më i lartë i shtetit, por e kam vërtetuar për tri mandate që shumë halle dhe probleme të qytetarëve më shumë lidhen me të parin e qytetit sesa me pozicionin e deputetit”, është shprehur ai.

Megjithëkëtë, Berisha ka pranuar se ka hyrë në garën për deputet me qëllim që t’i ndihmojë partisë që ai përfaqëson. “Unë i kam marrë 13 mijë vota për deputet dhe u jam mirënjohës atyre që më kanë mbështetur. Por sido që të jetë kam konkurruar për deputet sepse llogaritem njëra nga figurat më të rëndësishme të Nismës për Kosovën dhe mosprania ime natyrisht se do ta dëmtonte projektin e Nismës, i cili ka dëshmuar që ka dhënë rezultat”, ka shtuar ai.

Mushkolaj: Kjo qasje nuk është as serioze, as e moralshme politikisht

Por pavarësisht tyre njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se kandidimi i ministrave dhe i deputetëve nëpër zgjedhjet komunale ka të bëjë me synimin që të mbledhin sa më shumë vota për partitë.  

“Është përpjekje për të mbledhur vota për partinë. Edhe dy ministra të Nismës janë kandidatë për kryetarë komunash. Ata duhet të fokusohen në problemet e dikasterit qeveritar që udhëheqin e jo të shpërndajnë energjinë e tyre edhe në nivelin lokal”, ka deklaruar ai. Andaj sipas tij, një gjë e tillë është krejtësisht joserioze. “Kjo qasje nuk është aspak serioze e as e moralshme politikisht”, ka potencuar Mushkolaj.

Ismajli: Ky kandidim bie ndesh me përgjegjshmërinë e tyre politike

Kurse profesori i shkencave politike, Dashnim Ismajli, ka konsideruar se mënyra se si deputetët e ministrat po synojnë të mbërrijnë edhe nëpër komuna tregon se subjektet politike nuk kanë fare interes për t’i shërbyer vendit. “Ky kandidimi i tyre edhe pse nuk bie ndesh me ligjin, unë mendoj se bie ndesh me përgjegjshmërinë e tyre politike për të udhëhequr me funksionet që janë ngarkuar. Mendoj se ky trend që zhvillohet në skenën politike të Kosovës lë të kuptohet se partitë politike nuk kanë ndonjë interes për të bërë politika në shërbim të vendit”, ka deklaruar ai. Sipas tij, e tërë kjo ka për qëllim që partitë të marrin sa më shumë vota të qytetarëve nëpërmjet figurave të tyre publike.

Edhe politologu Ramush Tahiri ka konsideruar se një praktikë e tillë e politikanëve që fillimisht të zgjidhen deputetë ose ministra e më pas “të vrapojnë” për t’u vënë në krye të komunave është një mashtrim i pastër.