BE-ja nuk heq dorë nga kriteret për viza

Aktuale October 13, 2017 - 08:18

Bashkimi Evropian nuk heq dorë nga demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kështu deklaroi gjatë ditës së djeshme shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila zhvilloi disa takime me përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Kosovë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Gjatë takimit që pati me deputetë të pozitës e opozitës (PDK e LVV), Apostolova tha se Kosova duhet të punojë në përmbushjen e dy kritereve të mbetura në mënyrë që të arrihet heqja e vizave. Ajo po ashtu foli edhe për sundimin e ligjit, me ç’rast tha se kjo çështje paraqet njërin prej prioriteteve kryesore të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, përfaqësuesit e të dy taborëve politikë, me të cilët shefja e zyrës së BE-së u takua gjatë së enjtes, shprehen pakënaqësinë e tyre lidhur me kushtet e vëna Kosovës nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, megjithatë ata i konsideruan të frytshme këto takime me zyrtarët e BE-së.

“Ne jemi kemi këtu me të dyja kushtet dhe kjo është e vërteta”, deklaroi Apostolova gjatë takimit që pati me përfaqësuesit e PDK-së. Ajo me këtë rast tha se BE-ja do ta ndihmojë Kosovën që të arrijë progres më të shpejtë në rrugëtimin për luftimin e krimit dhe korrupsionit, shkruan Zeri.

Një përgjigje e prerë e saj erdhi pas kritikave të deputetit të PDK-së, Nait Hasani, i cili tha se BE-ja i ka vënë kushte të padrejta Kosovës për procesin e liberalizimit.

“Për mua janë të padrejta kushtet e BE-së për Demarkacionin, Gjykatën Speciale dhe korrupsionin”, theksoi Hasani në këtë takim. Ai madje nuk la pa kërkuar sqarim nga Apostolova lidhur me këtë çështje.

“Pse vetëm Kosovës i është vënë kusht Demarkacioni? Nesër do ta kemi demarkacionin me Serbinë. Cili është kushti tjetër mandej?”, pyeti Hasani.

Ndërkaq, pas pyetjes së parashtruar, Apostolova tha se asnjë kusht i tillë nuk mund të quhet i politizuar.

“Sa i përket liberalizimit dua t’ju them që kriteret që janë caktuar për të gjitha shtetet nuk janë kurrë politike”, sqaroi ajo, shkruan Zeri/

Më tej ajo deklaroi se Bashkimi Evropian nuk do të ndërrojë qëndrim sa i përket ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, i cili vazhdon të mbetet si kusht themelor për heqjen e vizave. “Nuk ka mundësi që BE-ja ta ndërrojë mendimin për demarkimin, ai duhet të plotësohet”, tha Apostolova.

Ndërkaq gjatë takimit që shefja e Zyrës së BE-së pati me lëvizjen “Vetëvendosje”, pos këtyre çështjeve, foli edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast konsideroi se ai paraqet urën lidhëse për raporte të mira fqinjësore mes dy shteteve.

“Është një urë e rëndësishme që mund t’i krijojë marrëdhëniet fqinjësore”, tha ajo në  takimin e djeshëm. Ajo me këtë rast konsideroi se duhet të bëhet shumë në këtë drejtim, në mënyrë që dialogu të bëhet më energjik.

Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, gjatë takimit me zyrtaren e BE-së tha se opozita do ta ketë rolin vendimtar për proceset në të cilat do të kalojë Kosova tash e tutje.

Ai më tej tha se BE-ja ka luajtur rol në zhvillimet e Kosovës, porse, sipas tij, nuk ka punuar aq sa kanë pritur qytetarët./ZERI/.